2017-04-25 14:09:00

Jul Variboba: Shën Marisë së Këshillit të Mirë


Nëna e Këshillit të Mirë, mirë se erdhe nder ne,

Erdhe si lule prilli, me djalin qe na dhe.

Figurja jote e mirë, Shkodren na e nderoi,

Po iku, u largua, kur turku na zaptoi.

Më parë se t’fluturonte, vate kjo Perendeshë,

Lejen ua kerkoi bujarëve arbëreshë.

E ditën që u nis, përsëri një shenjë u dha,

Prap iu deftua atyre, e u nis s’bashku me ta.

Shpejt u shkoqit nga muri, si zog dhe fluturoi,

U shqit vetem piktura, po muri atje qendroi.

Dhe ja, pra, që nga qielli gjithë engjëjt i nisi,

Vete Zoja qe si diell shkelqeu e llambarisi.

Ditën e shoqëronte një re, si një kolonë;

Si zjarr, një tjetër re e ndrinte natën vonë.

Ecte, ecte me ngut e s’lodhej shoqëria,

Pas dritës ecte shpejt, ku vente Shën Maria.

Malet  u bënë shesh, e buk’ ra  Zojë ku shkonte,

E shpura i vente pas, kudo e shoqëronte.

Dhe deti pati frikë, u mpiks posa e pa,

Suvala si një gur per të arbëreshtë u ba.

Po kur arriti Romën, iu fsheh ky yll plot dritë,

Ku shkoi e ku mbaroi, ku u zhduk ashtu papritë?

Ata që Zojën humbën, qanin e derdhnin lotë:

Si kje? Kush na e mori? Medet, kush mund të na e thotë?

Na e thoni, o gjinde e mirë! - pyesnin plot me çudi:

Mos pate një Zoje të rëndë? E patë Zojën Mari?

Përshkuan fushë e mal shoqëruesit e gjorë,

Kërkuan, po s’e gjeten – Zojën e bardhë si borë.

Mos ka qëndruar në Romë? U erdhi një mendim,

E vanë në këtë qytet, po s’gjeten ngushëllim.

Kur as në Romë s’e gjetën, zemra gati u mbet,

E s’i panë bukuritë, që ngrihen n’at’qytet.

E Shpirti u zhuritej, për Zojen që kërkonin,

Ky mall po i përvëlonte, e më s’mund ta duronin.

Qenë lodhë e forca s’kishin, kjo ishte e vërtetë,

Po ecnin, Shën Marinë donin përsëri me e gjetë.

Tue pyetur e stërpyetur, këta bujarë të mirë,

E gjetën më në fund, ku ndodhej Zonjë e dlirë.

E panë se kish arritur n’një vend, në Gjenacan

U ndalën k’tu e më s’u lodhen e s’u qanë.

Kur mrrijtën në kët’ dhe, u gëzuan me gjithë zemër,

Gjetën një të devoçme - Petrucia me emër.

E varfër, por dorëdhënë, jetën e kish n’rruzare,

Asaj vetem iu duk Shën Mria jonë bujare.

I tha se t’dua mirë, dua të rri me ty,

Po një të madhe Kishë t’urdhëroj ti me ma krye.

Zë fill me’ i herë me e stisë, mos prit me folë dy herë!

Për kët’ komandë që pat, u mpi Petrucia e mjerë.

U mpi, asgjë s’kuptoi, u tremb Petrucia plakë,

Iu duk se përmbi sy i zhgrehu kush një shplakë.

- Më ndjej, o Shën Mari, me se ta bëj, o Zojë?

Më mirë se unë e di, sesa jam në nevojë.

Mendimin kush ta dha, që m’the, o Shën Mari?

Mua për kë më mba? Dij unë të bëj shtëpi?

At ças një Kishë e gjerë zu fill sa s’kishte fund,

Po gjindja thanë se plaka kish pirë, ishte bërë thumb!

Si kishte thënë më parë, atëherë Shën Maria,

Atje u paraqit, e nisur nga Shqipëria.

U duk, në ajër qendroi, u ndal në të përpjetë,

si dielli shkëlqeu gjëkundi pa u mbështetë.

E kur panë bukurinë e dritën që lëshoi,

Ata panë vetë parrizin, thanë: -Ylli i paq’s ndriçoi.

Atëherë Shën Maria i priri sytë plot hir,

E t’gjithë u kujtuan për ta se kishte mëshirë.

Rrahën me grusht krahrorë, ranë me fëtyrë përdhe,

Pendesë bënë, u lutën: - O Zonjë, ngush’llona ne!

U mblodhën të pagojë, të shurdhë, të çalë, t’verbuar,

Shkuan të shtrirë në shtroje, u kthyen të shëruar.

E për kë ish i sëmurë a ishte i llavosur,

Për t’gjithë pati mëshirë, asnjë s’e la brengosur.

E lajmi u përhap në sh’pi, në mal, në arë,

Erdhën të gjithë përplot ngarkuar me thesarë.

Dhanti e ndjete e meshë i sollen të pamatë,

Shqiptarë e italianë, t’ vobegë e të begatë.

Një kont fort i lartë, fejuar me ‘i konteshë

Një rrobë me fije ari i çoi kësaj Mbretëreshë.

E tha: - Sa të kem jetë, dhanti edhe nderime,

Do t’sjell, e si t’kem fjetë, do t’sjelli raca ime.

I nderti zot Kolona qe ky njeri i shquar

Qe e bëri këtë kusht, Zojën për ta nderuar.

E mori vesh dhe Papa, diç deshi t’i dhurojë,

Zoti i ndriti mendjen Zonjën ta kurorëzojë.

Bëri, pra, dy kurora, për Zonjën e për Fëminë,

Vlenin sa dy thesare, aq ari në to ndrinë.

Ndërkaq  Kisha e re me kushte e ndjese u stis,

E si nuse me tel u vesh e u stolis.

Për divocion dhurata pa sjellë kush nuk mbet,

U mblodhën e u mblodhën, sa me ndertue ‘i qytet.

Po të gjitha këto gjëra, Petrucia i lajmëroi,

Së pari me zë të ulët i tha, i profetizoi.

Tha se kish agjëruar kur ngrihej Kisha e re,

Ajo ku sot këndon katundi me hare.

Kisha e re që u krye, u ngrit në diell nga nata,

E gjindja që vraponte, më shumë sillte dhurata.

E mrekullitë u shtuan si shuri në bregdet,

E Zonjën e lavduan sa vanë nder te krishtetë.

Njiqind e me piktorë erdhën t’i bëjnë ritranë,

Po nuk mjaftuan bojërat, e u nisën edhe vanë.

Prandaj k’naqësi n’se donte me gjetë ndonjë njeri,

e ndjente atje ku shkonte, e shihte me sy të tij.

Ti Zonjë, posi lule, u drejton sytë e dlirë,

E si një trëndafile, i mbush me erë të mirë.

Pastaj këshillat tuaja gjithë dheu i ka dëgjuar,

Edhe i’ bandit po të vijë, s’e nis të dëshpëruar.

Prandaj Mbretëreshë e lartë, dhe unë dua t’vizitoj,

Gjegjmu, të dërgoj letër, pa ty nuk mund të rroj!

Në letër edhe zemrën ta sjell unë si dhuratë,

Si shenjë, ta dërgoj, të dashurisë së pamatë.

Ti mos ma kthe për prapë, pse është plot varfëri,

Prandaj edhe ta jap, zemrën ma ndërro Mari!

Bëje të jetë e mirë, e kështu t’mundet me dashtë,

Ta dlirë i yti Bir - e k’shtu më s’kam me drashtë.

Më bëj, O Zojë këtë  nder, zemrën ma merr n’krahëror,

E thuaj: këtë zemër, ma la, Bir, një m’katnor.

Ti Nënë me ata duar, bëje si t’kesh dëshirë,

Se unë në atë orë do të mbushem plot me hir.

Ne paça qitë short te rri dhe  unë n’atë vend,

Eja, më merr o mortje, se vdes, e vdes konden.

Bashkë, o e larta Zonjë, me ty e  Krishtin Fëmi,

Unë qeshi  e gëzoj – e ashtu kjoftë, Mari.

 

Vargje nga Jul Variboba, kthyer në gjuhën e sotme shqipe, për t’u kuptuar nga të gjithë. Kjo duhet të jetë historia e parë e vjershëruar e gojëdhënës, që na tregon se si iku Zoja e Këshillit të Mirë nga Shkodra e u vendos në Gjenacan.                                             

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.