2017-04-25 13:58:00

550-vjetori i arritjes së Zojës së Shkodrës në Gjenacan: “Portat e ferrit nuk ngadhënjyen!


“Et portae inferi non praevalebunt!”-“Portat e ferrit nuk ngadhënjyen” - titullohet emisioni i dytë kushtuar 550-vjetorit të zhvendosjes së Figures së Zojës sonë të Këshillit të Mirë në Gjencan. Na kujton se gjatë pushtimit otoman Kisha e Zojës dalëngadalë u kthye në gërmadhë.  E ashtu mbeti deri pas pavarësisë së Shqipërisë, kur u rikrijuan kushtet për rindërtimin e saj.

 Punimet rifilluan pikërisht më 1917, në kulmin e Luftës I Botërore. E, më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450-vjetori i shpërnguljes së Zojës nga Shkodra – në Gjenacan. Ishte një festë jashtëzakonisht prekëse për atë grusht katolikësh, që i bënë ballë pesëqind vjet robërie e mohimi, e që, më në fund dolën nga katakombet e pushtimit ende gjallë, me besim të plotë në ndërmjetësimin e Nënës së Këshillit të Mirë. Festa ishte e paharrueshme. Merrte pjesë në kremtim Argjipeshkvi i Shkodrës, imzot Jak Serreqi; argjipeshkvi i Durrësit, imzot Prend Bjanku; ipeshkvijtë e Lezhës e të Zadrimës, imzot Luigj Bumçi dhe imzot Gjergj Koleci. Të pranishëm, përveç autoriteve vendore, Kryekomandanti i Korparmatës XIX austrohungareze, Gjenerali Ignatius Trollmann; Konsulli i përgjithshëm, August Ritter von Kral, i cili gjatë Luftës I Botërore zinte vendin e Komisarit civil në Shqipëri dhe konsulli Karl Halla.

Atmosfera e festës u bë edhe më gazmore nga tingujt e Bandës ushtarake  austriake, asaj qytetse dhe nga pjesëmarrja e Scola Cantorum e katedrales së Shkodrës.

Për rindërtimin e kishës ndihmoi njëzemre e njëzëri populli i Shkodrës,  dhe i fshatrave të arkidioqezës. Gratë hoqën rrathët e martesës nga gishti, vëthët nga veshët e kolanat e arta nga fyti, e ia falën asaj Zoje, që ua kishte pritë sa e sa herë rrezikun atyre vetë, burrave e fëmijëve të tyre, në ato kohë të trazuara lufte. Përveç ipeshkvijve, klerit e autoriteteve qytetse dhe krejt popullit, u bashkuan në mënyrë kuptimplote teologët shqiptarë pranë Universitetit të Innsbruck-ut, në Austri, të cilët me anën e një fushate në shtypin austriak, mblodhën një shumë të rëndësishme të hollash.

Trualli ku ishin gërmadhat e shenjtërores së lashtë, një sipërfaqe prej 10.262 m2 e me vlerë 7.500 korona austriake, iu dhurua, nga Komanda e Naltë e Korparmatës XIX austriake, argjipeshkvisë së Shkodrës. Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik 1917, iu dorëzua kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot Jak Serreqi. Ky ishte hapi i parë… Më 31 korrik u bekua edhe guri i parë, që u vendos në themele më 17 gusht, nga gjenerali Trollmann. Ai vetë zbriti në gropën e themeleve e, bashkë me gurin, vendosi aty edhe një pergamenë. Askujt nuk do t’i kish shkuar në mendje asokohe se Kisha do të hidhej në erë me dinamit e se një Kishë e tretë, e re, do të naltohej ndër gërmadhat dy herë të vjetra, mbi një gur themeli, që do ta vendoste, e edhe do ta bekonte, jo më një gjeneral ushtrie, por “Gjenerali i të gjithë katolikëve të botës”, Papa i Romës, Gjon Pali II. Pllaka e bardhë prej mermeri e vendosur në hyrje, vijon të jetë dëshmitare e heshtur e kësaj mrekullie, që  ndodhi me 25 prill 1993...








All the contents on this site are copyrighted ©.