2017-04-24 12:13:00

Papa: Shpirti Shenjt të bën të lirë, jo kompromiseve e ngurtësisë


Nuk duhet harruar kurrë se feja jonë është konkrete e nuk pranon kompromise, as idealizime. Kështu Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, ku morën pjesë kardinajtë këshilltarë të C9, që sot, 26 prill, u mblodhën përsëri me Atin e Shenjtë. Papa e vuri theksin mbi lirinë, që na e jep Shpirti Shenjt. Pikërisht kjo liri bën që Ungjilli të kumtohet pa kompromise e pa ngurtësi.

Takimi i Nikodemit me Jezusin e dëshmia e Pjetrit dhe e Gjonit pas shërimit të sakatit, ishin në qendër të homelisë së Papës në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë Meshës e parë të mëngjesit, pas pushimeve të Pashkëve. Jezusi - vërejti - i shpjegon Nikodemit, me dashuri e durim, se duhet “lindur nga lart”, “duhet lindur nga Shpirti Shenjt”, gjë që do të thotë të kalosh nga një mendësi, tek një tjetër. Për ta kuptuar më mirë këtë - shpjegoi - mund të ndalohemi pikërisht në atë, që rrëfehet në Leximin e parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve. Pjetri e Gjoni shërojnë çalamanin  e doktorët e ligjit nuk dinë nga t’ia mbajnë, nuk dinë si ta fshehin këtë fakt kaq të padëshiruar, sepse ngjarja tashmë ka marrë dhenë. Kur i pyesin Apostujt, ata përgjigjen me thjeshtësi, por kur u kërkojnë ta mbyllin gojën e të mos flasin më për këtë shërim, Pjetri përgjigjet: “Jo! Nuk mund të heshtim për çka pamë e dëgjuam. E… do të vazhdojmë kështu”.

Fjala u bë njeri, jona është fe konkrete

Ja, tha Papa, konkretësia e një fakti, konkretësia e fesë, në krahasim me doktorët, që duan të hyjnë në bisedime, për të arrirë tek kompromiset: Pjetri e Gjoni kanë guxim, kanë çiltërsi, çiltërsinë e Shpirtit Shenjt, gjë që do të thotë të flasësh hapur, me guxim, ta thuash të vërtetën pa kompromise. Kjo është pika, kjo, konkretësia e fesë:

“Nganjëherë harrojmë se feja jonë është konkrete: Fjala u bë korp, jo ide, u bë njeri. E kur themi Besojmën, gjithçka themi është konkrete: ‘Besoj në Tënzonë, Atin e gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit e të dheut! Besoj në Jezu Krishtin, që lindi, që vdiq...’. Janë të gjitha gjëra konkrete. Besojma jonë nuk thotë: ‘Besoj se duhet të bëj këtë e atë, ose se sendet janë për këtë e për atë….’. Jo! Janë gjëra konkrete. Konkretësia e fesë, që çon në çiltërsi, në dëshmi deri në martirizim, që është kundër kompromiseve ose idealizimeve të fesë”.

Nganjëherë edhe Kisha ka rënë në “teologjinë e mundet e s’ mundet”

Për këta doktorë të ligjit - vijoi Françesku -  Fjala nuk u bë njeri, u bë ligj: e kjo duhet bërë deri këtu e jo më tutje, duhet bërë kjo, jo tjetër:

“E kështu qenë mbyllur në këtë mendësi, që nuk mori fund me ta, eh? Në historinë e Kishës vërehet shpesh se pikërisht ajo Kishë, që dënoi racionalizmin, iluminizmin, më pas shumë herë ra në teologjinë e ‘mundet e s’mundet”, ‘deri këtu, e deri atje’, dhe e harroi fuqinë, lirinë e Shpirtit, harroi se kjo lind nga Shpirti Shenjt, që të jep lirinë, të jep çiltërsinë e predikimit, të kumtit se Jezusi është Zot”.

Zoti na dhashtë Shpirtin Shenjt, për ta kumtuar Ungjillin pa ngurtësi

“T’i lutemi Zotit - tha në vijim Papa - të na japë këtë përvojë të Shpirtit, që shkon e vjen e na çon përpara, të Shpirtit, që na jep vajimin e  fesë, vajimin e konkretësisë së fesë:

“Era fryn kah t’i teket e ia ndjen zërin, por nuk e di kah vjen, as kah shkon. Kështu është kushdo lindi nga Shpirti Shenjt; dëgjon zërin, ndjek erën, shkon pas zërit të Shpirtit Shenjt, pa e ditë ku do të mbarojë. Sepse ka zgjedhur konkretësinë e fesë dhe rilindjen në Shpirtin Shenjt. Zoti na e dhashtë ne të gjithëve këtë Shpirt Pashkësh, na ndihmoftë të ecim në udhët e Shpirtit pa kompromise, pa rreptësi, me lirinë për ta kumtuar Jezu Krishtin ashtu si erdhi ndër ne: me korp e gjak njeriu!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.