2017-04-24 15:05:00

Papa: në Egjipt për paqen, me makinë të pablinduar


Papa Françesku do të shkojë në Egjipt më 28 e 29 prill e do të lëvizë me makinë të pablinduar; të mbyllur, por jo të blinduar. Në konferencën e shtypit për paraqitjen e programit të vizitës, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Greg Burke, sqaroi se kjo ishte dëshirë e Atit të Shenjtë, por edhe se nuk priten probleme të veçanta përsa i përket sigurisë.

Programi është më se i mbushur me takime të nivelit të lartë, me pesë fjalime në italisht, përkthyer në arabisht e me homelinë e meshës, që sipas njoftimit të Konferencës Ipeshkvnore vendase, do të kremtohet në stadiumin e areonautikës e jo në atë civil të Kajros, siç ishte menduar në fillim.

Parashikohet që Ati i Shenjtë të arrijë në Kajro në orën 14.00 me atë lokale. Ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në Pallatin Heliopolis, ku Papa do t’i bëjë edhe vizitën e kortezisë presidentit të Republikës së Egjiptit, Al Sisi.

Pasdite, në orën 16.00, Papa Françesku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes e, do të flasë pas Imamit të Madh të Al-Azharit, autoriteti më i lartë fetar sunit. Më vonë, do të takohet me autoritetet qeveritare. Me këtë rast do të mbahen dy fjalime zyrtare, ai i Atit të Shenjtë dhe ai i presidentit egjiptian. Së fundi, vizita tek Patriarku i kopto-ortodoksëve, Taëadros II. Me të, Ati i Shenjtë do të shkojë në kishën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, goditur nga terroristët në dhjetor të vitit të kaluar. Papa dhe Taëadros II do të luten së bashku për të krishterët e vrarë, edhe për ata, që humbën jetën në dy kisha, në të Dielën e Larit të këtij viti.

Të nesërmen, Papa do të kremtojë meshën në orën 10.00, e cila megjithëse është e shtunë, do të vlejë si meshë për të dielën, siç ndodh shpesh në vendet e Lindjes së Mesme, me shumicë myslimane, ku e diela është ditë pune. Pas drekës me 15 ipeshkvij katolikë egjiptianë, pasdite do të kremtohet lutja me klerin. Në orën 17.00, nisja nga Kajro, për të mbërritur në orën 20.30, në aeroportin e Ciampinos, nga ku Papa Françesku do të kthehet në Vatikan.

Pyetëm pikërisht drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, nëse ka ndonjë shqetësim për vizitën e Papës në një vend me 90 milion banorë, ku vetëm 0,1% janë katolikë të riteve të ndryshme e rreth 10% koptë ortodoksë:

Papa dëshiron të japë shenja pozitive. Është i qetë, nuk është aspak naiv, e njeh situatën në Egjipt, e di ç’u ka ndodhur koptëve vitet e fundit, sidomos gjatë së Dielës së Larit, por dëshiron të japë një shenjë pozitive. Për sa është e mundur, atij i pëlqen normaliteti, prandaj do të lëvizë me një makinë normale, të mbuluar, por do të ketë edhe dy momente, kur do të spostohet me një makinë golfi: gjatë meshës së të shtunës për të ndenjur në mesin e njerëzve dhe, gjatë takimin në seminar, në çastin e lutjes me meshtarët, seminaristët dhe rregulltarët. Edhe aty do të bëjë një xhiro me makinë golfi.

Është shumë e rëndësishme fjala e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes…

Të flasin për paqen si njerëz të vërtetë të fesë, që janë për paqen, siç thotë Papa. Ky është mesazhi, në të vërtetë.

Mund të themi se dëshira e Papës Françesku për të krijuar dialog pasqyrohet, në një farë mënyre, në tri përmasat e udhëtimit të tij: në atë baritore për bashkësinë e vogël të katolikëve të Egjiptit; në atë ekumenike, pra, në dialogun me kopto-ortodoksët, që janë rreth 10% e popullsisë; e në atë ndërfetare. Është udhëtim, që i thekson fort këto, apo jo?

Po, s’ka dyshim. Papa thotë gjithmonë se duhen ndërtuar ura. Kjo do të thotë të ndërtosh ura. Me bashkësinë katolike është më shumë se urë, sepse ata janë vëllezër, por edhe përmasa ndërfetare dhe ajo ekumenike janë aspekte kyç të udhëtimit. Fakti, që është i pranishëm edhe Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu I, është i rëndësishëm, pavarësisht se nuk ka ndonjë takim ndërmjet tyre, pasi nuk është ky qëllimi i udhëtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.