2017-04-24 14:24:00

Françesku: don Milani, dëshmitar i Krishtit, i dashuruar me Kishën


Don Lorenzo Milani ka qenë dëshmitar i Krishtit, gjithnjë në anën e më të fundmëve të shoqërisë, i dashuruar me Kishën, megjithëse për qëndrimet e tij, të vështira për t’u kuptuar në atë kohë, pati ndonjë problem me autoritetet kishtare. Papa Françesku e kujton kështu priorin e Barbianës, mësuesin e shkrimtarin, të cilit Panairi italian i Librit në Milano i kushtoi pasditen e djeshme, 50 vjet pas vdekjes.

         Ati i Shenjtë, në një videomesazh, përvijon figurën e don Milanit, meshtar toskan, që vdiq në vitin 1967, në moshën 44 vjeçare, prior në Barbiana, fraksion i vogël në malin e Mugello-s, ku drejtonte një shkollë për të varfërit:

         “Si edukator dhe mësues, pa dyshim që ai ka vënë në jetë rrugë origjinale, ndoshta, nganjëherë, tepër të përparuara, prandaj, të vështira për t’u kuptuar e për t’u pranuar menjëherë. Edukimi familjar, që vinte nga prindër jo besimtarë e antiklerikalë, i kishte mësuar një dialektikë intelektuale e një ndershmëri, që nganjëherë mund të dukeshin pak si të ashpra e madje, edhe rebele”.

         Don Milani u kthye në fenë e krishterë në moshën 20 vjeçare, por edhe si prift, ruajti tiparet e familjes e kjo i shkaktoi keqkuptime me autoritetet kishtare, por edhe me ato civile, për shkak të propozimit të tij edukativ, në favor të të varfërve dhe të respektimit të ndërgjegjes e të lirisë së mendjes. “Historia përsëritet gjithmonë”, vëren Papa Françesku në videomesazh. Por, don Milani e donte Kishën, thekson Ati i Shenjtë, vetëm se luftonte për një shkollë, që t’u hapte fëmijëve mendjen dhe zemrën, që t’i mësonte për jetën, në mënyrë që ata të dinin si ta fitonin dinjitetin, i cili iu mohohej shpesh. Njeri i shqetë, por shqetësimi i tij ishte shpirtëror, i ushqyer nga dashuria për Krishtin e për Ungjillin, për shoqërinë e për shkollën, të cilën e ëndërronte gjithnjë si “spital fushor, për të ndihmuar të plagosurit, për të integruar sërish të mënjanuarit e të braktisurit”, thekson më tej Papa Françesku. Hija e Kryqit u zgjat shpesh mbi të, aq sa i pati thënë atit shpirtëror se dëshironte që të dashurit e tij të shihnin si vdes një prift katolik, kujton Ati i Shenjtë në videomesazh:

         “Vuajtja, plagët e hapura, Kryqi, nuk ia errësuan kurrë dritën e Pashkëve të Krishtit të Ngjallur, sepse shqetësimi i tij ishte një i vetëm: që të rinjtë të rriteshin me mendje të hapur e me zemër mikpritëse, plot dhembshuri, të gatshëm të përkuleshin mbi më të brishtët e të ndihmonin më nevojtarët, siç na mëson Jezusi (shih Lk 10,29-37), pa e parë ngjyrën e lëkurës së tyre, as gjuhën, as kulturën, as përkatësinë fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.