2017-04-24 13:39:00

Më 20 qershor, Papa në varret e don Milanit e të don Mazzolarit


Të martën, më 20 qershor, Papa Françesku do të shkojë në shtegtim në Bozzolo (Mantova) dhe në Barbiana (Firenze), për t’u lutur pranë varreve të don Primo Mazzolari-t dhe të don Lorenzo Milani-t. Vizita, nënvizon Salla e Shtypit e Vatikanit, do të bëhet në formë private e jo zyrtare.

Ati i Shenjtë do të niset me helikopter nga Vatikani, në orën 7.30, e do të mbërrijë në orën 9.00 në kampin sportiv të Bozzolo-s, pritur nga ipeshkvi i Kremonës, imzot Antonio Napolioni dhe nga kryetari i bashkisë. Më pas, do të shkojë në famullinë e Shën Pjetrit, ku do të lutet mbi varrin e don Primo Mazzolari-t (1890-1959), duke mbajtur edhe një fjalë përkujtimore për këtë figurë të shquar të katolicizmit, në fillim të shekullit të kaluar.

Në 10.30 do të niset me helikopter për në Barbiana, ku do të pritet nga kardinali Giuseppe Betori, kryeipeshkëv i Firences dhe nga kryetari i bashkisë së Vicchio-s. Më pas, vizita private në varreza dhe lutja mbi varrin e don Lorenzo Milani-t (1923-1967), në 50-vjetorin e vdekjes. Në kishë, Papa Françesku do të takohet me dishepujt e don Milanit, me një grup meshtarësh të dioqezës dhe me disa të rinj, që jetojnë në shtëpitë-familje të Kishës, ku ndiqet karizma edukative e don Milanit. Në orën 12.30, Ati i Shenjtë do të niset për në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.