2017-04-23 11:09:00

Të krishterë e budistë të ecin së bashku në udhën e mospërdorimit të dhunës


Të krishterë e budistë të ecin së bashku në udhën e mospërdorimit të dhunës: për këtë bën thirrje Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, në mesazhin me rastin e festës së Vesakh, që kujton lindjen, shndritjen dhe vdekjen e Budës.

Dokumenti reflekton për nevojën urgjente të promovimit të kulturës së paqes e të mospërdorimit të dhunës. Feja - lexohet - është faqja e parë e botës sonë, ndonëse nganjëherë, në mënyra që i kundërvihen njëra-tjetrës. Ndërsa shumë besimtarë angazhohen për të promovuar paqen, të tjerë e shfrytëzojnë fenë për të përligjur aktet e tyre të dhunës e të urrejtjes. Shikojmë si u ofrohet viktimave të dhunës shërim e pajtim, por edhe si bëhen përpjekje për të shlyer çdo gjurmë e kujtim të tjetrit. Ecën përpara bashkëpunimi fetar global, por vërehet edhe politizimi i fesë;  nuk mungon vetëdija për varfërinë endemike dhe urinë në botë, e megjithatë vijon gara e papranueshme e armatimeve. E kjo situatë kërkon një thirrje të fuqishme për mospërdorimin e  dhunës, refuzimin e dhunës, në të gjitha format.

Dikasteri i Vatikanit kujton se Jezusi e Buda iu kundërvunë dhunës e qenë gjithnjë konstruktorë të paqes. Ndonëse duke pranuar unicitetin e dy feve tona, për të cilat impenjohemi - nënvizohet në mesazh - jemi një mendjeje se dhuna buron nga zemra e njeriut e se të këqijat e njerëzore, çojnë në të këqija strukturore. Prandaj jemi të thirrur për një impenjim të përbashkët: të studiojmë shkaqet e dhunës; t’u mësojmë ndjekësve tanë si ta luftojnë të keqen në zemrat e tyre; t’i çlirojmë nga e keqja si viktimat, ashtu edhe ata që kryejnë akte dhune; t’i formojmë mendjet e zemrat e të gjithëve, sidomos të fëmijëve, që të duan e të jetojnë në paqe me të gjithë e me ambientin; t’u kujtojmë vazhdimisht se nuk ka paqe, pa drejtësi, e as drejtësi të vërtetë, pa falje; t’i ftojmë të gjithë të bashkëpunojnë për parandalimin e konflikteve në ndërtimin e shoqërive të copëzuara; të inkurajohen mjetet e komunikimit shoqëror për ta shmangur e për ta luftuar urrejtjen; të inkurajohen reformat e edukimit, për të parandaluar shtrembërimin dhe keqinterpretimin e historisë si dhe të teksteve të saj mësimore e të lutemi për paqen në botë, duke ndjekur, së bashku, udhën e mospërdorimit të dhunës.

Mesazhi përfundon me ftesën: “Të dashur miq, mund t’i kushtohemi së bashku në familjet tona e në institucionet shoqërore, në politikat civile e fetare, promovimit të një stili të ri jete, në të cilin dhuna refuzohet e respektohet mbi gjthçka njeriu! Në këtë frymë, ju urojmë përsëri Festë paqësore e gazmore të Vesakh!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.