2017-04-23 12:51:00

Papa. Regina Caeli, në festën e Mëshirës Hyjnore: misioni i parë i Kishës është të falë


Në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa nënvizoi se dhuna, mllefi, hakmarrja nuk kanë kurrfarë kuptimi e kush i ushqen këto ndjenja, mbetet viktimë e tyre.        

Ne e dimë se çdo të dielë kujtohet ngjallja e Zotit Jezus, por në periudhën pas Pashkëve, e diela merr një kuptim shumë më ndriçues - shpjegoi Papa. - Në traditën e Kishës, kjo e dielë, e para pas Pashkëve, quhej “in albis”. Ç’do të thotë kjo? Shprehja të kujtonte ritin që kryente kush kishte marrë pagëzimin Natën pa gjumë të Pashkëve. Të sapo pagëzuarve u dorëzohej një veshje krejtësisht e bardhë "alba”, “e bardhë”, për të vënë në dukje dinjitetin e ri si bij të Zotit. E kjo vijon edhe sot: të sapolindurve u jepet një veshje e vogël e bardhë simbolike, ndërsa të rriturit vishen krejt me të bardha, siç e kemi parë Natën e Pashkëve. E kjo veshje e bardhë, në të kaluarën, mbahej një javë rresht, deri në këtë të dielë.Prej këndej vjen edhe shprehja in albis deponendis, që do të thotë, e diela kur hiqet rroba e bardhë. E kështu, sapo hiqet, rishtarët nisin jetën e re në Krishtin e në Kishë.

Është edhe një gjë tjetër  - vijoi Papa - që duhet kujtuar sot. Në Jubileun e Vitit 2000, Shën Gjon Pali II vendosi që kjo e dielë t’i kushtohej Mëshirës Hyjnore:

“Vërtet, ishte një intuitë e bukur! Kanë kaluar vetëm pak muaj nga përfundimi i Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës e kjo e dielë na fton ta rifitojmë me forcë hirin, që vjen nga Mëshira e Zotit”.

Nga Ungjilli i së dielës, Papa kujtoi - në vijim - fjalët e Krishtit të ngjallur, që iu duk dishepujve të mbledhur në çenakull: “Atyre, që do t’ua falni mëkatet, do t’u falen”:

“Ja pra, kuptimi i mëshirës, që na paraqitet pikërisht në ditën e ngjalljes së Jezusit, si ndjesë për mëkatet tona”.

Detyra e parë, që Jezusi ia përcolli Kishës, është vetë misioni i Tij për t’ua çuar të gjithëve lajmin konkret të faljes:

“Kjo shenjë e dukshme e mëshirës së Tij, sjell me vete paqen e zemrës dhe gëzimin e takimit të ri me Zotin”.

Mëshira, në dritën e Pashkëve, bëhet formë e vërtetë e njohjes së misterit që jetojmë, i cili u shtohet ndjenjave, intuitës, arsyes e formave të tjera:

“E po mirë, mund të njihet edhe përmes përvojës së mëshirës”.

Mëshira hap portën e mendjes…:

“… për ta kuptuar më mirë misterin e Zotit në jetën tonë personale. Të bën të kuptosh se dhuna, mllefi, hakmarrja nuk kanë kurrfarë kuptimi e se viktima e parë është kush i jeton këto ndjenja, sepse humbet dinjitetin e vet”.

Po mëshira ta hap edhe portën e zemrës…:

“… e të lejon t’u shprehësh afërsinë posaçërisht atyre, që janë vetëm e të mënjanuar, sepse të bën ta ndjesh se janë vëllezër e bij të të njëjtit Atë”.

Mëshira favorizon takimin e atyre, që kanë nevojë për ngushëllim e  të ndihmon të gjesh edhe fjalët e përshtatshme ngushëlluese:

“Mëshira ngroh zemrën dhe e bën të ndjeshme për nevojat e vëllezërve, për të ndarë me ta të mira e të vështira e për të marrë pjesë drejtpërdrejt në jetën e tyre”.

Mëshira i angazhon të gjithë të jenë mjete të drejtësisë, të pajtimit e të paqes - tha Françesku - për të vijuar me porosinë:

“Nuk duhet të harrojmë kurrë se mëshira është çelësi kryesor, që hap portën për të hyrë në jetën e fesë, është forma konkrete përmes së cilës e bëjmë të dukshme Ngjalljen e Krishtit”.

Pas lutjes mariane, Françesku kujtoi me nderim të thellë figurën e Luis Antonio Rosa Ormières që, në shekullin XIX, themeloi Kongregatën e Motrave të Engjëllit të Rojës:

“Shembulli dhe ndërmjetësimi i tij i ndihmofshin posaçërisht ata, që punojnë në shkollë e në fushën edukative”.

Së fundi, përshëndetjet drejtuar mijëra besimtarëve e turistëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërmjet tyre, pjesëmarrësit në “Vrapimin për Paqen”, stafetë në prag të nisjes për në Wittenberg të Gjermanisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.