2017-04-22 18:30:00

Papa Françesku kremtoi meshën në përkujtim të “Martirëve të rinj”


Dje, Papa Françesku kremtoi meshën në përkujtim të “Martirëve të rinj”, në bazilikën e Shën Bartolomeut, në Romë. Që nga viti 1999, me dëshirën e Papës shenjt Gjon Pali II, kjo kishë i është besuar Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila kujdeset dhe ruan në të reliket e martirëve të krishterë të shekullit XX e në vijim. Në kapelat e vogla të saj, gjendet edhe një copë e zemrës së Shqipërisë dhe e martirizimit të katolikëve shqiptarë. Aty, një sy i kujdesshëm mund të shohë një piside, përdorur nga katolikët shqiptarë gjatë komunizmit, por edhe një kryq të vogël fshehur në palët e kushedi kujt, mbajtur me rrezikun e persekutimin, të burgosjes e, edhe të vdekjes mbi krye. Por jo vetëm kaq. Aty janë edhe meshari i imzot Oskar Arnulfo Romeros, vrarë gjatë meshës; kelku, stola dhe patena e don Andrea Santoros, vrarë në Turqi; Bibla e përdorur nga indiani Shahbaz Bhatti, edhe ai, i vrarë, sepse donte të mbronte të drejtat e të krishterëve e shumë e shumë relike të tjera tw të martirizuarve kudo në botë në shekullin, që Gjon Pali II e quante “shekull i martirizimit”, për shkak të nazizmit, të komunizmit e të luftrave të ndryshme, ku të krishterët u panë si armiq dhe u përndoqën me të gjitha mënyrat.

Gjatë liturgjisë së Fjalës, dje, në orën 17.00, leximi nga Libri i Zbulesës së Shën Gjonit u ndërthur me tri dëshmi të ndryshme. E para, nga Karl Shneider, i biri i Paulit, pastor protestant, vrarë më 1939 në kampin e përqendrimit të Buchenvaldit, sepse i kishte quajtur në publik objektivat e nazizmit “të papajtueshme me fjalët e Biblës”; pastaj, Roselyne, e motra e atë Jacques Hammel, vrarë më 26 korrikun e kaluar, në Rouen të Francës, në përfundim të meshës, nga një terrorist; e Francisco Hernandez Guevara, mik i William Quijano, një i ri i Shën Egjidit në Salvador, i cili u vra në shtator të vitit 2009, sepse, me Shkollat e Paqes së Bashkësisë, u jepte të rinjve të lagjes një alternativë, në krahasim me bandat Maras, që mbillnin terror në këtë vend të Amerikës Qendrore.

Pas homelisë, Papa Françesku bëri homazhe në gjashtë kapelat anësore të bazilikës, ku ruhen reliket e martirëve të Evropës, Afrikës, Amerikës e Azisë, të komunizmit e të nazizmit. Gjatë liturgjisë u ndezën disa qirinj për të shoqëruar çdo lutje në kujtim të këtyre dëshmitarëve të fesë, nga armenët e të krishterët e tjerë, viktima të masakrave të Luftës I Botërore, tek martirët e paqes e të dialogut, si murgjërit trapistë të Notre Dame de l’Atlas në Algjeri dhe don Andrea Santoro në Turqi; nga ata, që i vrau mafia, si don Pino Puglisi, deri tek misionarët e shumtë, që dhanë jetën për Ungjillin kudo në botë. Të pranishmit u lutën së bashku me Papën Françesku edhe për ipeshkvijtë Mar Gregorios Ibrahim e Paul Yazigi, si edhe për atë Paolo Dall’Oglio-n, prej kohësh të sekuestruar në Siri, për të cilët nuk dihet asgjë.

Në përfundim të lutjes, në një sallë ngjitur me kishën, Ati i Shenjtë takoi një grup refugjatësh, ardhur në Itali përmes korridoreve humanitare, së bashku me disa gra, viktima të trafikut të njerëzve dhe me disa të mitur të pashoqëruar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.