2017-04-22 17:03:00

Françesku: martirët na kujtojnë se Zoti e rinon botën me Dashurinë e tij


Papa Françesku kryesoi sot pasdite, në Bazilikën romake të Shën Bartolomeut në Ishull, një lutje për Martirët e rinj, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Gjatë kremtimit disa nga familjarët dhe miqtë e të krishterëve të vrarë nga urrejtja për fenë, i lexuan Atit të Shenjtë Bergolgio dëshmitë e të rënëve. Ndërmjet tyre, edhe Roselyne, motra e atë Jaques Hamel, i pranishem i veçante  ishte, me festen personale te Papes Françesku, edhe kardinali shqiptar, Hiresia e Tij Dom Ernest Simoni-Troshani.

“Galdojnë në qiell martirët që ecën/ Mbi gjurmët e Krishtit gjithmonë, /E derdhën Gjakun për dashurinë e Tij,/Me të gëzojnë sot në TënZonë!”. Janë fjalët e para të Himnit të Martirëve që, njëherësh me tingëllimin e këmbanave, e shoqëruan hyrjen e Papës Françesku në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishull, kishë që - me dëshirën e Gjon Palit II - u bë, pas Jubileut të vitit 2000 “Memorial i dëshmitarëve të fesë të shekullit XX e XXI”. Akti i parë i Papës në Bazilikë ishte nderimi i relikeve të Shën Bartolomeut dhe ikonës së martirëve të rinj.

Dëshmitë e martirëve të rinj, shenjë shprese në provë

Pas përshëndetjes së Andrea Riccardi-t, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit, organizator i kremtimit, Papa Françesku shqiptoi lutjen, për të nënvizuar se ishte Fjala e Zotit ajo, që i mbështeti këta vëllezër në orën e provës e që, prandaj, duhet pranuar si dhuratë e çmuar, që të jetë llambë për hapat tonë e t’i hapë njerëzimit udhët e shpresës. Çast i fortë gjatë kremtimit ishin dëshmitë mbi martirët e rinj: dëshmia e birit të Paul Schneider, pastor i Kishës së reformuar, vrarë në kampin e shfarosjes të Buchenwald, në vitin 1939; e një miku të William Quijano, mbytur nga bandat e armatosura në Salvador; e Roselyne Hamel, motra e Atë Jacques, therur në kishë nga fundamentalistët islamikë. “Uroj që  flijimi i Jacques – nënvizoi – të sjellë fryte të begata e t’u tregojë njerëzve të kohëve tona udhën për të jetuar së bashku, në paqe”. 

“Jepja, o Zot, sa më shpejt paqen botës mbarë!”.

Në përfundim të homelisë, duke kujtuar se trashëgimia e martirëve na jep ne paqe e unitet, Papa nënvizoi: “Ata na mësojnë se, me forcën e  butësinë dashurisë, mund të realizohet me durim paqja”. E atëhere mund të lutemi kështu: “O Zot, na bëj dëshmitarë të denjë të Ungjillit e të dashurisë sate; dikoje dashurinë tënde mbi njerëzimin; përtërije Kishën tënde, mbroji të krishterët e persekutuar, jepja sa më shpejt paqen botës mbarë!”.

Të çarmatoset dhuna blasfeme e atyre, që vrasin në emër të Zotit

Pas dëshmive dhe homelisë, Papa shkoi tek kapelat e navatave anësore të bazilikës, për të ndezur nga një qiri në secilin nga elterët, ku ruhen reliket dhe kujtimet e dëshmitarëve të fesë. Ishte çasti i lutjes së besimtarëve: “T’i kujtojmë të gjithë ata, që derdhën gjakun për besnikëri ndaj Ungjillit - u lut Françesku - e ta lusim Zotin e gjithëpushtetshëm, që bota mbarë të përtërihet nga dashuria e Tij”. U kujtuan, më pas, disa nga emrat e martirëve të rinj, e për çdo kujtim, u ndez nga një qiri, ndërsa bashkësia këndonte “O Zot kij mëshirë!”. Domethënëse, ndjetet e lutjes. Besimtarët iu lutën Zotit që martirët e çdo kohe dhe të çdo Kishe të na prijnë drejt unitetit, e akoma, të çarmatoset dhuna blasfeme e atij, që vret në emër të Zotit.

Pas kremtimit, takimi me një grup refugjatësh

Në përfundim Papa u lut: “O Zot, për  hir të gjakut të derdhur nga martirët, jepi njerëzimit të plagosur nga e keqja hirin të gjejë gëzimin dhe dritën e së mirës, që Biri yt e pagoi me jetë”. E, pas kremtimit, doli nga Bazilika me procesion dhe i drejtoi një përshëndetje turmës, mbledhur në tremen e Shën Bartolomeut.  








All the contents on this site are copyrighted ©.