2017-04-21 13:24:00

Tajani: Turqia të respektojë lirinë e shtypit, nëse dëshiron të hyjë në BE


“Turqia duhet të respektojë lirinë e shtypit, nëse dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian”. Kështu deklaroi dje kryetari i Europarlamentit, Antonio Tajani, duke përsëritur thirrjen për lirimin e gazetarit italian Gabriele Del Grande, themeluesit të Observatorit për viktimat e emigracionit “Fortress Europe”. “Nuk është vetëm problem italian”, nënvizoi Tajani, duke kujtuar se në Ankara ndodhen aktualisht në burg 200 gazetarë turq e të huaj. Nuk mund të hysh në bisedime me Bashkimin Evropian, nënvizoi kreu i Europarlamentit, nëse merren vendime të tilla, ose, edhe më keq, nëse parashikohet një referendum për rivendosjen e dënimit me vdekje.

         Sot, pas 11 ditësh në hetuesinë e Muglës, në bregdetin e Egjeut, njoftoi ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, Gabriele Del Grandes iu dha mundësia të takojë konsullin italian në Smirne dhe avokatin. Dokumentaristi dhe gazetari toskan, që u ndalua gjatë një kontrolli në kufi me Sirinë, nuk ka pasur asnjë kontakt me jashtë, përveçse një telefonate të shkurtër me familjen, të martën e kaluar, kur lajmëroi se do të fillojë grevën e urisë. Tani për tani, gjendja e tij është e paqartë, sepse nuk ka akoma asnjë akuzë formale. Gjithnjë i impenjuar në fushën e të drejtave të njeriut, sidomos të emigrantëve, Del Grande është autor i librit “Mamadou shkon të vdesë”, tregim plot guxim e frymë të theksuar kritike, i rrugës së përshkuar nga klandestinët, që shpesh gjejnë vdekjen në Mesdhe. Libri, i përkthyer në disa gjuhë e i botuar disa herë, është thirrje alarmi për tragjedinë e mohuar të emigrantëve, për të cilën kanë përgjegjësi qeveritë afrikane, ato evropiane dhe shoqëritë civile të dy brigjeve të Mesdheut.








All the contents on this site are copyrighted ©.