Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Selia e Shenjtë: të mbrohen të drejtat, liria dhe dinjiteti i emigrantëve

Imzot Auza - AP

21/04/2017 12:09

Marrëveshja globale mbi emigracionin do t’i krijojë bashkësisë ndërkombëtare mundësinë t’i respektojë angazhimet e marra me adoptimin e Agjendës 2030, program për  zhvillimin e qëndrueshëm, nënshkruar në vitin 2015 nga qeveritë e 193 vendeve anëtare të OKB-së. Këtë nënvizoi imzot Bernardito Auza, nunc apostolik dhe vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shejtë pranë Kombeve të Bashkuara, duke marrë pjesë, të martën e kaluar, në New York, në një diskutim ndërkombëtar, përqendruar mbi flukset e emigrantëve.

Agjenda 2030, shenjë shprese

Imzot Auza  kujtoi se Papa Françesku e quajti adoptimin e kësaj agjende “Shenjë e rëndësishme shprese”. Selia e Shenjtë - shpjegoi prelati - beson se kjo shpresë do të bëhet realitet vetëm nëse Agjenda do të jetë me të vërtetë, në mënyrë të ndershme dhe të frytshme, në shërbim të të gjithëve, duke përfshirë edhe emigrantët.

Është urgjente t’u jipet përgjigje nevojave themelore të të gjithëve

Imzot Auza kujtoi edhe se Ati i Shenjtë i nxit të gjithë liderët e qeverive të marrin masa të menjëhershme, efikase e konkrete për t’i dhënë fund, sa më shpejt që të jetë e mundur, fenomenit të përjashtimit shoqëror dhe ekonomik. Pamundësia për arsimim cilësor, për punë të denjë dhe për asistencë shëndetësore, janë shkaqet kryesore, që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë.

Mungesa e stabilitetit global ka pasoja të rënda negative

Këto kërkesa pa përgjigje - pohoi imzot Auza - janë në bazë të mungesës së stabilitetit global, me pasoja shumë të rënda negative. Ndërmjet tyre, trafiku i qenieve njerëzore, shfrytëzimi seksual, format e reja të skllavërisë lidhur me punën, prostitucioni, trafiku i drogës dhe i armëve, terrorizmi. Prej këndej - vijoi nunci - angazhimi i parë dhe kryesor duhet të synojë t’u përgjigjet  kërkesave themelore të mbarë popujve.

Gjithnjë më shqetësuese, drama e të miturve të pashoqëruar

Një fushë tjetër, që shkakton shqetësime të rënda, është ajo e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar. Ky problem duhet zgjidhur para se të arrihen objektivat e rëndësishme për bashkimet familjare. Bashkësia ndërkombëtare - pohoi imzot Auza - duhet të punojë për t’u dhënë fund konflikteve e dhunës. Janë këto - shtoi - plagët që i shtyjnë njerëzit t’i nisin fëmijët në emigracion, me shpresë se do të mund të rrojnë më mirë nga etërit.

Për të qeverisur emigracionin, duhen bërë përpjekje globale

Çështja e emigracionit nuk mund të zgjidhet nga një ministri a një departament i vetëm. Është e nevojshme - shtoi imzot Auza në fjalimin e dytë kushtuar së njëjtës temë - përpjekja për një qeveri globale, që synon  zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Duhet, prandaj, t’i jepet përgjigje e përbashkët emigracioneve, duke pasur mirë parasysh se jemi para një fenomeni shumë të ndërlikuar. Urgjente edhe përpjekja e koordinuar që përfshin, përveç veprimtarive të qeverisë, edhe bashkësinë politike, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe institucionet fetare.

Askush nuk mund të përjashtohet nga mbrojtja e të drejtave të emigrantëve

Imzot Auza kujtoi, në përfundim, fjalët e Papës drejtuar, më 21 shkurtin e kaluar, pjesëmarrësve në Forumin “Emigracionet dhe Paqja”. Papa, me këtë rast, u ndalua tek gjendja e miliona punëtorëve e punëtoreve emigrante, ndërmjet të cilëve, edhe refugjatët, në kërkim të strehimit, viktima të trafikut. “Mbrojtja e të drejtave të tyre të pamohueshme, garancia e lirive themelore dhe respektimi i dinjitetit të tyre - pati thënë - janë detyra nga të cilat nuk mund të përjashtohet askush”.

21/04/2017 12:09