Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve ‘A’ e festa e Mëshirës Hyjnore

Shenjtenorja e Meshires Hyjnore ne Lagiewniki te Polonise - RV

21/04/2017 00:00

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe me liturgjinë e Dielës së Dytë të Pashkëve, të ciklit të parë ‘A’, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Që nga viti 2002 Papa Shën Gjon Pali II ia kushtoi këtë të Diele Mëshirës Hyjnore, duke ia besuar përdëllimit të Zotit mbarë njerëzimin.

Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së Diele të Dytë të Pashkëve, na ftojnë të vijojmë reflektimin tonë mbi misterin e Pashkëve, mbi misterin e Mundimeve, të Vdekjes e Ngjalljes së Jezu Krishtit,  që është qendra, pra thelbi dhe zemra e fesë së krishterë.

Krishti i Ngjallur është i pranishëm në mesin tonë nën shenjat e bukës e të vërës, që forca e Shpirtit Shenjtë Hyj i shndërron në korpin e gjakun e Jezusit dhe feja e Kishës i pranon si prezencë të Gjallë të Zotit. Krishti i Gjallë bëhet ushqim i jonë e pije shpirtërore, prandaj ta pranojmë thirrjen e tij që na drejton për t’u bërë njerëz të ri e dëshmitarë të sinqeritetit e të së vërtetës, si apostujt që i komunikuan Tomës takimin  e tyre me Krishtin e Gjallë: “ E pamë të Ngjallurin”, si Toma që pas dyshimeve,  pas vështirësisë së besimit, ra në gjunjë duke rrëfyer fenë e tij në Zotin e Gjallë.

Pra, leximet e kësaj së diele na ofrojnë e ftojnë të ndalemi tek frytet e Krishtit të Ngjallur: Leximi Parë na flet për lindjen dhe tiparet e bashkësisë së parë të krishterë të apostujve e të anëtarëve të parë, ndërsa Ungjilli i kësaj së diele na flet për dhuratën e Krishtit të Gjallë, paqen dhe vështirësinë e të të besuarit të Tomës në Krishtin e Gjallë. 

Nga Ungjilli sipas Gjonit (20,10-31)

Jezusi u dëftohet nxënësve

(Mt 28, 16‑20; Mk 16, 14‑18; Lk 24, 36‑49)

19 Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt!

23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”

Jezusi dhe Toma

24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”

Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”

26 Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”

28 Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”

29 Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”

Qëllimi i librit

30 Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. 31 Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit!

21/04/2017 00:00