Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Letër e Papës për Tawadrosin II: të krishterët ta shpallin së bashku të Ringjallurin

Papa Françesku me Patriarkun kopto-ortodoks Tawadros II - AFP

21/04/2017 14:38

Papa Françesku, vetëm pak ditë para vizitës së tij në Egjipt, i shkruan Patriarkut kopto-ortodoks Tawadros II, për t’i ururar Pashkët, që sivjet u kremtuan së bashku me katolikët. “Si shërbëtorë të shpresës, të krishterët janë thirrur të shpallin së bashku Krishtin e Ringjallur, përmes dëshmisë së gëzueshme të jetës së tyre e përmes dashurisë bujare për të afërmin. E dimë se bota e sotme ka nevojë urgjente për kumtimin e kësaj shprese, e vetmja që nuk zhgënjen”. Kështu shkruan Papa Bergoglio.

         Ndërkaq, Patriarku kopto-ortodoks flet për herë të parë për atentatin e së Dielës së Larit në Aleksandri, në një intervistë për agjencinë katolike Sir, me të cilën komenton edhe vizitën e Papës Françesku më 28 e 29 prill, në Kajro. “Këto atentate – thekson – ndikojnë mbi jetën ekonomike e shoqërore të vendit. Godasin pa dallim të gjithë egjiptianët, të krishterë e myslimanë”.

         Përsa i përket udhëtimit të Atit të Shenjtë, Patriarku ortodoks shpreson që t’i japë një mesazh të fuqishëm të gjithë botës se Egjipti, pavarësisht nga atentati, mbetet një oazë paqeje. Koptët nuk kanë reaguar me dhunë ndaj dhunës, por kanë zgjedhur rrugën e tolerancës, për hir të dashurisë për Zotin e për njerëzit.

         Papa Françesku, vetë Patriarku Tawadros II dhe 200 personalitete nga e gjithë bota, myslimanë e të krishterë, do të marrin pjesë së bashku në Konferencën ndërkombëtare për paqen, organizuar, më 28 prill, nga Universiteti i Al-Azharit, institucioni fetar dhe akademik më prestigjoz i myslimanëve sunitë. Në një deklaratë të këshilltarit për marrëdhëniet e jashtme të Imamit të Madh të Al Azharit, thuhet se “Papa Françesku është një nga liderët kryesorë, që mund ta çojë botën drejt paqes dhe sigurisë. Prandaj, vendosëm t’i rilidhim marrëdhëniet e dialogut, sepse e konsiderojmë njeri të moderuar, njeri të paqes. Shpresojmë që kjo Konferencë të jetë dritë në këto kohë të trishta e të mjera, që po jetojmë, me akte terrorizmi në të gjithë botën”. 

21/04/2017 14:38