2017-04-21 19:14:00

Kujtimi i martirëve i bashkon të krishterët


Martirët tregojnë se i krishteri duhet të ketë një forcë “të ligshtë”, të mbrujtur me fe e dashuri, për t’i bërë ballë së keqes. Pohimi është i Andrea Riccardi-t, në një editorial të revistës italiane “Familja e krishterë”, në prag të lutjes së Papës Françesku me Bashkësinë e Shën Egjidit, pranë memorialit të martirëve të rinj, në Bazilikën romake të Shën Bartolomeut.

Papa Françesku e viziton këtë Bazilikë në ishullin Tiberin për t’i kujtuar martirët e rinj, nësa i kemi ende në sy fytyrat e të krishterëve të vrarë në Egjipt. Bazilika, që ruan kujtesën e Shën Adalbertit, vrarë në vitin 997, sepse ishte ungjillëzues, kujton posaçërisht martirët e kohëve tona. Shpreh, kështu, vetëdijen e Jubileut të vitit 2000: Kisha është bërë bashkësi martirësh, si në shekujt e parë të krishterimit. Ky, aso kohe, nuk ishte mendim sundues; të krishterët konsideroheshin më shumë persekutues, sesa të persekutuar. Po Gjon Pali II mendonte të kundërtën. Kishte qenë dëshmitar i persekutimit nazist dhe e i masakrimit të hebrenjve një herë,  e më pas, i krimeve të kryera nga ana e komunizmit mbi njerëzit e Kishës katolike. Për të, nëntëqinda ishte shekulli i martirizimit. Prej këndej Papa Wojtyla themeloi një komision për mbledhjen e dëshmive të martirëve, që punoi pikërisht në lokalet pranë Shën Bartolomeut. Dolën në dritë një mori ngjarjesh të dhimbshme, shpesh krejt të panjohura. Më 7 maj të vitit 2000, në Koloseum, në praninë e disa dëshmitarëve të persekutimit, Gjon Pali II  kryesoi përkujtimin ekumenik të martirëve të rinj, duke theksuar se gjaku i martirëve i bashkon gjithë të krishterët.

Martirët përbëjnë një si “afresk të madh”  të njerëzimit të krishterë të shekullit XX

Këtë pati pohuar Papa Wojtyla. Duheshin kujtuar e duhej mbledhur trashëgimi që na lanë. Kështu Bazilika e Shën Bartolomeut, me nismën e Bashkësisë së Shën Egjidit, e me vendim të Papës Gjon Pali II, u bë memoriali i martirëve të rinj. Në absidë të bie menjëherë në sy një ikonë e madhe e të rënëve, ndërmjet të cilëve, kryeipeshkvi salvadorian Romero; armenët, viktima të genocidit, murgjërit etiopë të vrarë nga italianët, të krishterët rusë të masakruar nga regjimi stalinist, e jo më pak, martirët shqiptarë të enverizmit. Po t’ia përshtasim shprehjen e Gjon Palit II Shqipërisë, do të mund të pohonim se asnjëherë në trojet tona nuk pati aq shumë martirë të kristianizmit, sesa gjatë regjimit komunist, që ia kaloi edhe martirizimit gjatë pesëqind vjetëve të sundimit otoman. Pa harruar se otomanët ishin pushtues! Ndërsa komunistët, vëllavrasës!

Në gjashtë kapelat, ekspozohen objekte, që flasin drejtpërdrejt për martirët bashkëkohorë nga të pesë kontinentet. Ruhet kelku i don Andre Santorit,  vrarë në Turqi; fasha e ipeshkvit argjentinas Angellelli, mbytur nga ushtarakët, Bibla e një të riu ruandez, rënë gjatë genocidit, letra e një pastori ungjillor nga kampi nazist i Buchenwaldit, një mori objektesh që flasin për Kishën e heshtimit në katakombet shqiptare…. Kujtime! Po asnjë prej tyre nuk të ngjall urrejtje. Asnjë nuk të fton për të marrë hak. Martirët tregojnë sesi i krishteri ka një forcë të ligshtë - të pathyeshme, forcën e fesë e të dashurisë, përballë së keqes. Testamenti i tyre duhet hapur e duhet jetuar në Kishën e sotme.

Ky, edhe mesazhi që buron nga vizita e Papës Françesku, në këtë Bazilikë, ku “jetojnë” ata që vdiqën për Krishtin!








All the contents on this site are copyrighted ©.