Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Egjipti në pritje për shtegtimin e Papës

Papa kopt Tawadros II - AFP

21/04/2017 17:33

Atmosferë pritjeje në Egjipt, ku më 28 e 29 prill do të jetë për vizitë Papa Françesku. Parulla e zgjedhur për vizitën: “Papa i paqes në Egjiptin e Paqes”, është një nga frazat që koptëve ortodoksë dhe katolikë u pëlqen ta përsërisin më shpesh, për të nënvizuar shpresat që kanë nga ky shtegtim apostolik. Për t’u njohur më hollësisht me atmosferën e pritjes intervistuam imzot Barnaba el Soryani, peshkop i Kishës kopto-ortodokse të Shën Gjergjit të Torinos e Romës:

Përgjigje: - Vërtet e presim me gëzim të madh këtë vizitë të Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku,  të cilën na e pati premtuar që më 10 maj 2013, kur u takua me Papën Tawadros. Ky i fundit e ftoi Papën të shkojë në Egjipt. Françesku e pranoi ftesën me fjalët: “Do të vij, do të vij me gëzim”. Prandaj ne e presim këtë vizitë që nga viti 2013, me shumë gëzim, Papa Françesku është personalitet i dashur nga i gjithë populli, nga mbarë bota e krishterë. E presim padurim këtë vizitë, posaçërisht këto ditë, pas atentatit  të fundit; tragjedi kjo, për ne. Njeriu i parë, që na shprehu afërsinë e tij, ishte pikërisht Shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Pyetje: - Lidhje e ngushtë vëllazërore, kjo e Papës Françesku me Papën Tawadros, gjë që e dëshmon edhe një Letër, e cila u bë e njohur në Egjipt, shkruar nga Papa Françesku pikërisht me rastin e Pashkëve…

Përgjigje: - Po. Por më parë  të dy prijësit shkëmbyen një telefonatë për atë që ndodhi në Aleksandri. Pastaj Papa Françesku i dërgoi një letër Papës Tawadros, duke theksuar se duhet shkuar përpara në udhën vëllazërore ndërmjte tyre. Na trishtuan shumë këto atentate.

Pyetje: - Bota mbeti thellësisht e prekur nga reagimi i bashkësisë kopte pas atentateve, sepse bashkësia jo vetëm që nuk shprehu asnjë shenjë urrejtjeje, por përkundrazi, kërkoi e vijon të kërkojë lidhje gjithnjë më të ngushtë me vendin e vet…

Përgjigje: - Është e vërtetë, sepse ne jemi të krishterë e nuk duhet të urrejmë askënd. Edhe pse ngarja ishte shumë e rëndë, ne duhet të duam, njëlloj. Ne e dimë cili është synimi i këtyre atentateve; dun të shkatërrojnë  bashkësinë, të rrënojnë lidhjen me qeverinë e me vëllezërit tanë myslimanë. Pastaj duhet të shikojmë edhe një gjë tjetër: kur ndodhi ky atentat, u vranë jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë. Ishte pra, jo vetëm kundër nesh, por edhe kundër myslimanëve….

Pyetje: - Konferenca e paqes, në të cilën do të jenë të pranishëm shumë liderë fetarë, mund të ripohojë pikërisht këtë parim të distancimit të fesë  nga çdo akt terrorizmi….

Përgjigje: - Është e vërtetë edhe kjo. Prandaj më pëlqen aq shumë motoja e vizitës së Papës: “Papa i paqes, në Egjiptin e paqes”. E kjo është thirrje e fuqishme për të gjithë liderët e Egjiptit: Papa Françesku, Papa Tawadros dhe kreu i Alazhar, Imami i madh. Do të jetë thirrje e fortë kundër terrorizmit. Dëshiroj t’i drejtoj një thirrje të fuqishme edhe botës së krishterë: të lutet për të gjithë vëllezërit e krishterë të Lindjes së Mesme, sepse të krishterët në këto zona janë të paktë dhe e vetmja bashkësi e shumënumërt, është kjo jona. Duhet të lutemi shumë edhe për vëllezërit tanë të vrarë si dhe për familjet e tyre.

21/04/2017 17:33