Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku, maristëve: shoqëria ka nevojë për edukatorë të apasionuar

Papa Françesku me nxënësit e një shkolle në Itali - REUTERS

20/04/2017 13:23

Edukoni me dashuri, duke vënë në pah mundësitë e çdo të riu. Kjo është këshilla, që u dha Papa Françesku, Vëllezërve Maristë me rastin e 200-vjetorit të themelimit të Kongregatës e të Kapitullit të ardhshëm të përgjithshëm, që do të mbahet në shtator, në Kolumbi. Në mesazhin, që i shkruan eprorit të përgjithshëm, Emili Turù Rofes, Ati i Shenjtë vë theksin në karizmën e edukimit, karakteristikë e maristëve, duke nënvizuar se shoqëria e sotme ka nevojë për dëshmitarë të besueshëm. Edukimi, shkruan Papa, “është shprehje e mirësisë dhe e mëshirës së Zotit”. E më pas, përmend fjalët e themeluesit të maristëve, Marcellino Champagnat: “Edukimi është për fëmijën ai, që është kultivimi për tokën. Sado i mirë të jetë terreni, nëse nuk lërohet, nuk prodhon tjetër, përveçse ferra e barëra të këqia”. Pra, vëren Ati i Shenjtë, detyra e edukatorit është e vështirë, kërkon përkushtim të vazhdueshëm e sakrifica, është çështje zemre, që e bën atë të veçantë e sublime.

Në edukim të shihet dashuria dhe vula e Zotit

Së pari, sugjeron Papa në mesazh, rregulltari edukator duhet të “kultivojë” vetveten. “Duhet të jeni të vetëdijshëm – shkruan Ati i Shenjtë – se terreni, me të cilin punoni, duke i dhënë formë, është i shenjtë e, duhet të shihni në të dashurinë dhe vulën e Zotit”. Shqyrtimi e shoshitja, por edhe shpresa për të ardhmen e fryma e risimit, janë, sipas Papës, karakteristikat e edukatorit të mirë. Shoqëria e sotme, nënvizon, “ka nevojë për njerëz me parime të shëndosha, që japin dëshmi për atë që besojnë, në mënyrë që të ndërtohet një botë më e mirë për të gjithë”.

Edukatori i mirë rregulltar të ndjekë shembullin e Marisë

Papa i inkurajon Vëllezërit Maristë të udhëhiqen nga Maria, duke u kujtuar moton e tyre: “Gjithçka Jezusit përmes Marisë, gjithçka Marisë për Jezusin”. Përvuajtëri, gatishmëri, shërbim: qëndrimet e Marisë, nënvizon Françesku, duhet të karakterizojnë edhe “edukatorin e mirë rregulltar”. Kështu, u thotë maristëve, “të rinjtë do të mund të shohin se në sjelljet dhe veprimet tuaja ka diçka të jashtëzakonshme e do ta kuptojnë se ia vlen, jo vetëm t’i mësojnë këto vlera, por sidomos t’i bëjnë të tyret dhe t’i imitojnë”.

Audienca e Papës me Eprorin e maristëve

Në faqen e internetit të maristëve publikohet edhe një intervistë me eprorin, Fratel Emili Turù Rofes, i cili tregon për audiencën me Papën Françesku, më 10 prill, në Vatikan. Me të foli për karizmën e maristëve dhe për rrezikun që klerikalizmi ta anulojë thirrjen e laikëve. Ati i Shenjtë, nga ana e tij, i falenderoi maristët për impenjimin e tyre në edukimin e të rinjve, sidomos në zona si Iraku dhe Siria, ku të rinjtë e fëmijët kanë humbur shtëpitë për shkak të luftës.

20/04/2017 13:23