Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: fugurja e Zojës së Shkodrës

Zoja e Shkodrës për udhë drejt Gjenacanit

20/04/2017 12:13

Këto ditë ,të dashur dëgjues, ju kemi njoftuar se në Shkodër do të mbahen një sërë kremtimesh me rastin e 550-vjetorit të shpërnguljes së Zojës nga shenjtërorja rrëzë kështjellës së Rozafatit për në Gjenacan të Italisë. Sot do t’ju flasim pikërisht për fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë, që u çua në fluturim për t’u shpëtuar turqve e për t’u vendosur në shenjtëroren e augustinianëve pranë Romës.

Zoja e Shkodrës është nderuar me tituj të ndryshëm deri në shekullin XVII, kur Kisha e quajti zyrtarisht “Zoja e Këshillit të Mirë”. Vërtet, që atëherë, Papët kanë përdorur vetëm këtë titull, me të cilën edhe në liturgji, kremtohet mesha e solemnitetit të 25 prillit. Titulli “Shën Maria e Këshillit të Mirë”, ideuar nga Shën Augustini, dëshmohet edhe nga një basoreliev i Zojës, që nderohej në shekullin IV në kapelën e lashtë të Gjenacanit, pranë Romës.

Shenjtërorja u ndërtua me dëshirën e Fra Felice Leonceli de Cave, augustinian, ndërmjet viteve 1621 dhe 1629, në vend të kishës së mëparshme, që thirrej “E Lumja Pietruccia”. Nga kjo kishë, jo aq e bukur e me pak dritë, u ruajt vetëm portali i viteve ‘400, të cilit, në vitin 1840, iu përshtat fasada e re, ndërtuar nga gjenia arkitektonike e Fra Fanucchi-t, edhe ky augustinian.

Në vitin 1956, fasadës iu shtuan mozaikë. Kapela e vogël, që ruan afreskun e lashtë marian, ndodhet në anijatën anësore, majtas.

Teologjia e fugures

Fugurja e Zojës ka përmasa 31x42,5 cm dhe është e vendosur mbi një shtresë delikate suvaje. E njohim të gjithë Virgjërën, që mban në krah fëmijën. Mbi kryet e të dyve, ylberi shumëngjyrësh. Ngjyrat dhe format janë shumë delikate dhe kanë një kuptim të caktuar teologjik. Ndoshta jo të gjithë i dinë, prandaj, sot, po e shpjegojmë këtë kuptim. Duke parë Foshnjën Hyjnore, vërehen këto veçori domethënëse:

- Hunda, pa asnjë lloj harkimi, kujton korrektësinë e ndershmërinë e Atij, që është Djelli i Drejtësisë;
- Sytë, lehtësisht në formë bajame, me ngjyrë kafe të hapur e të shndritshëm, shprehin paqen, mirësinë dhe urtinë e pafund të Birit të Zotit;
- Manteli i kuq në okër, nënvizon fuqinë e Fjalës së Tij të shëlbimit;
- Gjesti i përqafimit me nënën tregon se Maria i përket plotësisht Zotit dhe se është krejtësisht e përkushtuar ndaj të Birit;
- Tiparet e thjeshta të fytyrës transmetojnë një qetësi të madhe e lënë të duket thellësia dhe gjerësia e intelektit të Tij, forca e vullnetit, fisnikëria e ndjenjave.

E gjithë kjo nënvizon, tërthorazi, edhe madhështinë e Nënës së Hyjit dhe fuqinë e ndërmjetësimit të saj amnor, meqenëse pikërisht Ndërmjetësuesi i vetëm i njeriut gjen mbrojtje dhe dashuri në krahët e saj të virgjëra. Dy fytyrat i afrohen njëra-tjetrës, në një gjest dashurie, nderimi e ëmbëlsie, që na fton të mos e ndajmë kurrë Nënën nga i Biri; të mos harrojmë se Maria është gjithmonë me Jezusin e për Jezusin; të kujtohemi se Maria është rruga, që çon gjithnjë vetëm tek Zoti.

Pra, synimi i fugures është i qartë: të paraqesë, nga njëra anë, humanitetin e vërtetë të Birit të Zotit, ardhur mes nesh e, nga ana tjetër, madhështinë e bashkimit të thellë të Nënës me Birin. Qartësisht nënvizohet titulli “Theotokos”, konfirmuar edhe nga tiparet e të dyve: po e njëjta rozë e fytyrës, i njëjti anim i qafës, i njëjti harkim i vetullave, që flasin për brezin e vërtetë të Birit, i cili i ngjan shumë fizikisht së ëmës.

Tre misteret e fugures

Sipas studiuesve të fugures së lashtë të Zojës, që ndodhet në Gjenacan, tri janë gjërat e pashpjegueshme, që rezultojnë nga analiza:

a) Mrekullia e ruajtjes dhe e mosprishjes së fugures: ajo ka akoma ngjyra të freskëta, pavarësisht nga shtatë shekujt e moshës. Megjithëse është pikturuar mbi një shtresë shumë të hollë suvaje dhe nuk është restauruar kurrë, afresku ruan të pandryshuara bukurinë dhe dritën.
b) Qëndrimi pezull në mur, që s’mund të shpjegohet: afresku duket pezull në ajër, pa u mbështetur në mur, që kur u duk në Gjenancan, në 25 prillin e vitit 1467. Fugurja qëndron në këtë pozicion pa asnjë mbështetje. Elteri, që e ruan, nuk e lejon syrin ta shohë këtë fenomen, që gjithsesi, dëshmohet në shekuj nga njerëzit e deklarohet zyrtarisht nga Kisha.
c) Lëvizshmëria shprehëse e fytyrave: fytyrat e Nënës dhe të Foshnjës Hyjnore duket sikur ndryshojnë shpesh shprehje, duke shkuar nga trishtimi i dhembshur në një gaz rrezëllues, ndërsa ngjyra ndryshon nga e arta e lehtë në të kuqe portokallì. Edhe për këtë fenomen ka shumë dëshmi e publikime, që i lidhin ndryshimet me dhënien e hireve të veçanta.

Papa i parë, që shkoi në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan ishte Urbani VIII, më 25 tetor 1630, për t’iu lutur Nënës së Krishtit t’i shpëtonte njerëzit nga murtaja. I fundit nga papët, që u lut para fugures së Zojës së Shkodrës, qe shenjti Papë Gjon Pali II, në vitin 1993, para se të kryente udhëtimin e tij të paharruar në Shqipëri, me të cilin u dha sërish besimtarëve hierarkinë katolike, pas gjysëm shekulli komunizmi e martirizimi.

20/04/2017 12:13