2017-04-19 18:52:00

“Një pikë dashuri e ndryshon botën - Nënë Tereza ”, paraqitja e vëllimit në Gemelli


Sot, në orën 12.00, në Poliklinikën Gemelli, u paraqit vëllimi “Një pikë dashuri e ndryshon botën”, shkruar nga Giuseppe Noia, gjinekolog obstetrik dhe drejtues i Strehës para e pas lindjes, të Poliklinikës.

Lidhja e posaçme dhe e thellë e Nënë Terezës me Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit dhe me Poliklinikën Universitare “Agostino Gemelli” është në qendër të librit “Një pikë dashuri e ndryshon botën - Nënë Tereza  dhe Universiteti katolik”, që u paraqit sot, 20 prill, në orën 12.00, në sallën Braska të Poliklinikës Gemelli. Autori është profesor Giuseppe Noia, Drejtues i Strehës para e pas lindjes të Poliklinikës dhe President i Fondacionit “Zemra në një pikë”.

Vepra - shpjegon profesor Noia - ka katër linja kryesore. E para - Nënë Tereza, doktor i parë honoris causa në mjekësi e kirurgji, në vitin 1981,  domethënë mesazhi i saj, që e shikon sëmundjen dhe mjekimin si thirrje profesionale e bazë njerëzore dhe etike të mjekut të krishterë.

Linja e dytë ndjek veprimtarinë e Terezës, si nënë e të varfërve. Përgjigjja që i dha ftesës së saj posaçërisht Klinika obstetrike dhe gjinekologjike  e Poliklinikës Gemelli, ishte ajo e modelit organizativ të asistencës dhe të shoqërimit të të gjitha situatave të brishta të paralindjes.  Linja e tretë e shikon Nënë Terezën si engjëll të njerëzve në prag të vdekjes e, prej këndej, edhe përgjigjja  e Universitetit katolik dhe e Fondacionit Gemelli me lindjen e Hospice Perinatale - Qendra për Mjekimet Paliative para lindjes “Shën Nënë Tereza e Kalkutës”.

Gjatë paraqitjes së librit folën edhe imzot Claudio Giuliodori, Asistent Kishtar i përgjithshëm i Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit, inxhinier Enrico Zampedri, Drejtor i përgjithshëm i Fondacionit të Poliklinikës Universitare “Agostino Gemelli” dhe profesor Rocco Bellantone, drejtor i fakultetit të mjekësisë dhe të kirurgjisë të Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit. Pastaj profesor Noia foli për përvojnë e tij profesionale me Nënë Terezën, duke treguar edhe episode prekëse nga bashkëpunimi me Nënën Shenjtore.

“Shën Tereza - përfundoi profesor Noia - ishte pararendëse e madhe e shoqërimit të njeriut nga lindja, në fazën e fundit të jetës si dhe nxitëse e dijes, që bëhet shërbim, në aspektin njerëzor e kulturor. Arrijmë, kështu, tek linja e katërt e librit që, përmes terapisë fetale dhe mjekimeve  paliative para lindjes, hap një udhë, në të cilën shkenca dhe feja janë dy krahët, të cilët e bëjnë njeriun të fluturojë. Në këtë udhë, Nënë Tereza, Shenjtore, që jetoi për shumë vjet në errësirën e thellë të natës së shpirtit, “bëhet dritë njerëzore e shpirtërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.