2017-04-18 12:59:00

Turqi: Erdogan “superpresident”, por Evropa i tërheq veshin


Në Turqi, presidenti Recep Tayyip Erdogan, fitimtar i referendumit të së dielës, që i jep më tepër pushtet, merr edhe përgëzimet e Shtëpisë së Bardhë. Mbrëmë, presidenti amerikan, Donald Trump, pa pritur rezultatet e vëzhguesve të OSBE-së, i telefonoi homologut turk, duke e ururar për fitoren, e cila mbetet gjithsesi vetëm pak më shumë se minimumi i domosdoshëm, 51,4% e votave. “Superpresidenti” i Turqisë, duke i folur turmës, pasi mbërriti në Ankara, u mburr se fitoi, pasi luftoi me “kombet më të fuqishme të botës”, që e sulmuan me “mendësinë e tyre të kryqëzatave”. Më pas, në mbrëmje, vendimi për ta shtyrë edhe tre muaj të tjerë gjendjen e emergjencës.

Polemika për rezultatin e referendumit

Ndërkaq, vlojnë polemikat për rezultatet e referendumit. Sipas ekspertëve të OSBE-së, votimi “nuk ka qenë në lartësinë e standarteve të Këshillit të Evropës”. Në një farë mënyre, i jepet të drejtë opozitës, e cila kërkon anulimin e votës. Edhe nga kancelaritë evropiane ngrihen gjithnjë e më tepër zëra për ndalimin formal të bisedimeve për hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian. Mundësia që Erdogan të miratojë sërish dënimin me vdekje i shqetëson të gjithë. “Dënimi me vdekje – theksoi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian, Margaritis Schinas – nuk është vetëm vijë e kuqe, por vija më e kuqe nga të gjitha” e “kalimi nga retorika e fjalëve në vepra, do të ishte shenjë e qartë që Turqia nuk dëshiron të shkojë drejt familjes evropiane”. Zëdhënësja kërkoi respektin e të drejtave themelore të njeriut dhe e këshilloi klasën drejtuese turke t’i mendojë mirë hapat e mëtejshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.