Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Të krishterët kremtojnë misterin e çlirimit të historisë në Ngjalljen e Jezusit, Birit të Hyjit.

Krishti Ngjallur - RV

18/04/2017 14:07

Të krishterët në të gjithë botën kremtojnë misterin e çlirimit të historisë në Pashkët e Ngjalljes së Jezusit, Birit të Hyjit.

Jezu Krishti ka lindur në historinë tonë në një kohë të caktuar, mase dymijë vjet më parë në Betlehemin e Judesë. E Krishti ka vdekur po në historinë tonë, nën Poncin Pilat, i gozhduar në një kryq, që është bërë bekim për botën dhe historinë.

Por, ai vazhdon të lindë në çdo kohë dhe në çdo vend në zemrat dhe në jetët e atyre që kanë vendosur ta ndërtojnë ekzistencën në ligjin e ri të dashurisë.

Dhe përsëri ai vdes në ditët tona dhe në jetët tona, atje ku mëkati shëmton bashkëjetesën njerëzore. Vdes në fëmijën e pafajshëm që abortohet, në të varfrin që shfrytëzohet, në të shtypurin që vuan, në të pambrojturin që vritet, në ngurtësimin e zemrës që kërkon hakmarrje.

Por, toka nuk mund të mbajë në thellësinë e saj të drejtin e Hyjit. Ati e ka ringjallur nga të vdekurit duke i dhënë fund vdekjes dhe duke ju kthyer të drejtën dhe shpresën të gjithë të shtypurve të historisë.

Vdekja dhe ringjallja e tij është prova se britma e të pafajshmëve ka arritur gjer te veshët e Hyjit dhe se Hyji i është përgjigjur njeriut duke i dhënë në Jezusin e ringjallur garancinë se jeta e ka mundur vdekjen dhe se të vuajturit do të shohin me sytë e tyre fitoren e ëndërruar.

Ngjallja e Krishtit është themeli i shpresës që mund çdo dëshpërim. Qofshin këto Pashkë frymëzim shprese dhe burim bekimi për të gjithë shqiptarët!

Me Krishtin e Ngjallur, jeta dhe historia njerëzore marrin një kuptim të ri!

18/04/2017 14:07