Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 18 prill kalendari kishtar përkujton Shën Galdinin, ipeshkëv.

Me 18 prill kalendari kishtar përkujton Shën Galdinin, ipeshkëv. Në shtator të vitit 1847, në Milanon, ende nën sundimin e Habsburgëve, hyn ipeshkvi i ri, i pritur me duartrokitje të stuhishme, sepse italian, ndërsa paraardhësi, austriak. Për nder të tij bëhen tre harqe triumfi, kushtuar Shën Ambrozit, Shën Karlit e Shën Galdinit: por shkrimi për nder të këtij të fundit, shlyhet nga qeveria, sepse të shtyn të nënkuptosh shumë gjëra. E kjo, nga që Galdini lidhet ngusht me luftërat e Milanos dhe të qyteteve të tjera lombarde kundër Federikut I Barbarosa. 

Bir i një familjeje fisnikësh të vegjël, Galdini lindi në vitin 1096 në Milano, ku u shkollua dhe hyri në jetën kishtare. Në vitin 1160 ishte kryediakon i katedrales, pranë kryeipeshkvit Obert, përkrah milanezëve. Në vitin 1162 shikon si shkatërrohet qyteti me urdhër të perandorit. Së bashku me kryeipeshkvin, radhitet përkrah Aleksandrit III, zgjedhur papë në vitin 1159 nga një pjesë e Kardinajve, në sa pjesa tjetër zgjidhte filo-gjermanin Otavian de Montiçeli me emrin Viktori VI. Përçarje e thellë në Kishë? Papë e antipapë?! Në Milano, Oberti shpalli skomunikimin e Federikut si përgjegjës i skizmës.

Në vitin 1165 Galdini u emërua kardinal. Tani i duhet ta ndjekë Papën në shtegtimet e tij e, në mars të vitit 1166, së bashku me Obertin e Beneventos, ndodhej pranë Aleksandrit III. Por gjatë këtij qëndrimi, Oberti vdiq e papa, në vend të tij, emëroi Galdinin. Kryeipeshkvit të ri të Milanos iu desh të kthehej fshehurazi, i veshur si shtegtar, në qytetin ku e prisnin rrënojat. Më 1167, pas shumë vitesh të tmerrshme, më në fund rifilloi rindërtimi, një nga protagonistët e të cilit ishte ai vetë. Riorganizoi Kishën në Lombardi, duke përforcuar besnikërinë e saj ndaj Aleksandrit III dhe duke planifikuar ndihmat për të varfërit e vjetër e të rinj, të shtuar jashtë mase. 

Shkroi mbi një rrasë fjalët, drejtuar administratorëve të vendit: “Ju jeni këtu vetëm për t’u shërbyer të varfërve!”, ia shkuli nga kthetrat pasurinë e Kishës atyre që ishin mësuar ta grabisnin; rindërtoi katedralen, me ndihmën e grave milaneze, të cilat hoqën nga fyti e nga gishtat ato pak stoli të çmuara, që kishin mundur t’i shpëtonin nga plaçkitjet e ushtarëve të Federik Barbarosës. E rinisi t’i mësonte popullit lutje e këngë të denja për lumninë e Zotit. Predikoi pa pushim, madje vdiq duke predikuar në predikatoren e Kishës së Shën Teklës, më 18 prill 1176. Po në këtë vit Lidhja Lombarde fitoi betejën e Lenjanos e ipeshkvi u shpall shenjt nga vetë Aleksandri III. E në shekullin XIX Manzoni e quajti me emrin e tij fratin e veprës së famshme ‘Të fejuarit’. Mbeti në kujtesë të Milanos edhe për ‘bukën e të varfërve’, e cila vijoi të quhej ‘buka e Shën Galdinit’.

18/04/2017 12:15