2017-04-18 15:05:00

Imzot Toso: për mospërdorimin e dhunës, të dëgjojmë Françeskun


Në mesazhin “Urbi et Orbi” të Pashkëve, Papa Françesku përsëriti thirrjen e tij të zjarrtë për paqen, si rrugë e vetme për zgjidhjen e shumë konflikteve në botë, sidomos në Siri. Pikërisht për temën e paqes, këto ditë, doli nga shtypi libri “Mospërdorimi i dhunës, stil i një politike të re për paqen” (Ed. Frate Jacopa, Roma 2017), shkruar nga imzot Mario Dal Toso, ipeshkëv i Faenza-Modigliana e ish-sekretar i dikasterit për Drejtësinë e Paqen. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Toso nënvizon nevojën për t’i dhënë forcë kësaj rruge, në një botë të shpërfytyruar nga luftrat:

Në kontekstin aktual, me vatra të shumta konflikti në anë të ndryshme të botës e, sidomos, me tensione ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Veriut, bëhet gjithnjë e më e qartë, urgjenca e gjetjes së alternativave serioze ndaj asaj, që mund të jetë një fatkeqësi e tmerrshme për njerëzimin: lufta bërthamore. Nevojitet një impenjim i vendosur nga ana e institucioneve ndërkombëtare. Prandaj, bëhet më se aktuale tema e reformimit të tyre dhe e themelimit të një Autoriteti të vërtetë politik botëror, demokratik, nga poshtë, mbi bazën e parimit të susidiaritetit. Ngritja e një autoriteti të tillë – jo e një superfuqie – duket e pashmangshme: si për t’i dhënë fund shkandullit të patolerueshëm të garës së armatimeve, ashtu edhe për t’i eleminuar krejtësisht armët bërthamore; si për të pranuar, sipas parimit të mjaftueshmërisë, idenë e zotërimit vetëm të armëve të nevojshme për mbrojtjen e ligjshme, por jo bërthamore, ashtu edhe për të vepruar në mbrojtje të popujve apo të grupeve të shtypura. Por, së bashku me ndërhyrjen e institucioneve publike, kombëtare apo ndërkombëtare, duhet të veprojnë edhe institucionet kulturore e fetare.

Një reflektim, pikërisht për këto të fundit…

Këto të fundit, ndoshta, këto kohë, nuk i janë kushtuar plotësisht detyrës strategjike për sensibilizimin dhe edukimin e mospërdorimit të dhunës, siç lypset nga rritja e dhunës në botë. Ndoshta, është nënvleftësuar rritja e dhunës nga ana e institucioneve e në vetë institucionet politike, përveçse në ekonomi, në mas media e në rrjetet shoqërore. Një rënie e vëmendjes duket se vërehet edhe në botën katolike. Prandaj, bëri mirë Papa Françesku kur kërkoi mospërdorimin aktiv e krijues të dhunës. Në një situatë, që duket tepër e vështirë para mundësive të një personi të vetëm, i krishteri duhet, së pari, të rizbulojë vokacionin e vet, besimin e tij në Jezu Krishtin e në mospërdorimin e dhunës. Së dyti, duhet të impenjohet, kudo ndodhet, në realizimin e zhvillimit të gjithanshëm, shoqëror, solidar, gjithëpërfshirës, të hapur ndaj transhendencës.

Sipas jush, cila është rruga e privilegjuar, që çon në këtë drejtim?

Rruga e privilegjuar, që e përforcon veprimin, është pa dyshim pjesëmarrja në lëvizjet jo të dhunshme, të cilat investojnë vazhdimisht në mospërdorimin e dhunës, që nuk do të thotë pasivitet. Përkundrazi! Është forcë, që i kundërvihet së keqes dhe padrejtësisë. Impenjimi i laikëve është boshatisja e dhunës nga brenda, në nivele të ndryshme: psikologjiko-personal, etik e kulturor, ekonomik, shoqëror, politik e komunikativ. Nuk duhet harruar sugjerimi i Papës Françesku, në veçanti, rithemelimi i politikës e pjesëmarrja në të me kompetencë, ndershmëri e dashuri për të mirën e përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.