Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore kërkoi gjeste solidariteti, mikpritjeje e dëshmi të paqes së Zotit

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - AFP

17/04/2017 13:25

“Gjeste solidariteti e mikpritjeje”. Këtë kërkoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore kremtuar të Hënën e Engjëllit, në të cilën Kisha kujton kumtimin e Ngjalljes së Zotit. Françesku pohoi se jemi të thirrur për të qenë burra të ri e gra të reja, sipas Shpirtit Shenjt.

Papa i nxiti besimtarët  të shpejtojnë, të shkojnë e t’ua kumtojnë burrave e grave të kohës sonë mesazhin e shpresës, që sjell me vete Ngjallja e Krishtit. Fjala e fundit nuk është më vdekja, por jeta! Françesku kujtoi se falë kësaj ngjarjeje, risi e vërtetë në histori e në kozmos, jemi të thirrur për të qenë burra të rinj e gra të reja, sipas Shpirtit Shenjt e për ta pohuar vlerën e jetës:

“Do të jemi burra e gra të ringjalljes, burra e gra të jetës, nëse, në mes të ngjarjeve, që e trondisin botën - e janë të shumta sot - në mes të mendësisë së botës, që të largon nga Zoti, do të dimë të bëjmë gjeste solidariteti, gjeste mikpritjeje, do të dimë ta ushqejmë dëshirën universale për paqe e  dëshirën për një ambient të çliruar nga degradimi”.

Papa vërejti se bëhet fjalë për shenja të zakonshme e njerëzore, por që, të mbështetura e të frymëzuara nga besimi në Zotin e Ngjallur, fitojnë një forcë shumë më të madhe se aftësitë tona. E kjo, sepse - theksoi akoma Françesku - Krishti është i gjallë; Krishti vepron në histori përmes Shpirtit të Tij Shenjt: i shpërblen mëkatet tona, arrin në çdo zemër njerëzore e ua rikthen shpresën gjithë të shtypurve e të vuajturve:

“Virgjëra Mari, dëshmitare e heshtur e vdekjes dhe ringjalljes së të Birit të saj, Jezus, na ndihmoftë të jemi shenja të kulluara të Krishtit të ngjallur ndërmjet ngjarjeve të botës, që kush është i zhytur në mjerim, të mos mbetet viktimë e pesimizmit, disfatës, nënshtrimit, por të gjejë mes nesh shumë vëllezër  e motra, që i japin ndihmë e ngushëllim”.

Nëna jonë - uroi Françesku - na ndihmoftë të besojmë fort në Ngjalljen e Jezusit, që është këtu, ndërmjet nesh, e ky është mister mahnitës shëlbimi:

“Na ndihmoftë edhe të besojmë se Zoti ka aftësi t’i shndërrojë zemrat dhe jetën. E ndërmjetësoftë posaçërisht për bashkësitë e krishtera të persekutuara e të shtypura në të katër anët e botës, të thirrura për një dëshmi më të vëshirë e më të guximshme”.

Edhe sot Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me besimtarë, grupe famullitare, familje, shoqata ardhur nga e gjithë Italia. Papa u kërkoi ta shfrytëzojnë çdo rast për të qenë dëshmitarë të paqes së Krishtit të Ngjallur.

E, së fundi, përshëndetja:

“Gëzuar Pashkët të gjithëve! Mos harroni të luteni për mua! Drekën e mirë e mirupafshim!”.

17/04/2017 13:25