Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Alleluja, lavdërojeni Zotin! Ngjallja e Krishtit burim shprese për botën.

Kisha ne Khora (Istanbull) - RV

17/04/2017 00:00

Ditën e Hënë të Engjëllit, siç quhet dita dytë e Pashkëve, po ndalemi te domethënia e fjalës ‘Aleluja’, brohori që jehoi përsëri në Kishë në Natën e Pashkëve, pas ditëve të gjata të Krezhmëve.

‘Aleluja’, fjalë hebraike e njohur universalisht do të thotë ‘Lavdërojeni Zotin’. E në ditët e kohës së Pashkëve, kjo ftesë për lavdërim kalon nga goja në gojë, nga zemra në zemër.

Jehon përsëri kështu  duke u nisur nga një ngjarje krejt e re: nga vdekja e ngjallja e Jezus Krishtit. E po kujtojmë se për herë të parë Aleluja lulëzoi në zemrat e nxënësve e nxënëseve të para të Jezusit, ditën e Pashkëve në Jeruzalem. Na duket sikur i dëgjojmë edhe sot zërat e tyre, zërin e Marisë së Magdalës, e para që e pa Zotin Jezus të ngjallur në kopshtin pranë Kalvarit; zërat e grave, që e takojnë, ndërsa vraponin, të trembura e të lumtura, për t’u dhënë apostujve lajmin e varrit të zbrazët; zërat e dy dishepujve, që ecnin drejt Emmausit me fytyra të trishtuara e që më pas kthehen përsëri në Jeruzalem plot gëzim, sepse dëgjuan fjalën e tij dhe e njohën ‘në të thyer të bukës’. Pastaj zërat e njëmbëdhjetë Apostujve, që po atë natë e panë mes tyre në çenakull, e Ai, Krishti Ngjallur u tregoi plagët e gozhdëve e të heshtës dhe u tha: “Paqja qoftë me ju!”. Kjo përvojë e shkroi një herë e përgjithmonë Alelujën në zemrën e Kishës. 

E në këtë kohë shpirtërore të Pashkëve, në mesditë, të krishterë lusin uratën që zë vendin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, është fjala për antifonën mariane të Mbretëreshës Qiellore. Teksti, krejt i shkurtër, ka formën e një kumtimi: është si një lajm i ri që i vjen Marisë, të cilin këtë herë nuk e sjell Engjëlli, por të krishterët, që e ftojnë të gëzohet, sepse i Biri Jezus, që e mbajti në prehër, u ngjall, ashtu siç kishte premtuar.  Në të vërtetë, ‘gëzohu’ ishte fjala e parë që i drejtoi Marisë Lajmëtari (Engjëlli) qiellor në Nazaret. E kishte këtë kuptim: ‘Gëzohu, o Mari, sepse Biri i Hyjit është duke u bërë njeri në Ty! .

E tani, në Kohën e Ngjalljes, pas dramës së Mundimeve, jehon përsëri ftesa për t’u gëzuar: Gaude et lǽtare, Virgo Maria, alleluia, quia surrexit Dominus vere, alleluia” – Gëzohu e ngazëllehu, o Virgjër Mari, alleluja, sepse Zoti vërtetë u ngjall, alleluja! Prandaj, Kisha përmes lutjes së Mbretëreshës Qiellore, i ftoi të gjithë besimtarët t’i hapin zemrat, që Aleluja e Pashkëve  të Krishtit të Ngjallur të lërë aty gjurmë të thella e të mos mbetet thjeshtë fjalë, por të bëhet shprehje e vetë jetës së secilit: jetë njerëzish që i ftojnë të gjithë të tjerët për të lavdëruar Zotin dhe e bëjnë këtë si njerëz ‘të rilindur’.  

Në përfundim të këtij reflektimi edhe një herë urime gjithëve: gëzuar të Hënën e Engjëllit e urime të gëzueshëm të Pashkëve: Për shumë vjet!

17/04/2017 00:00