Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Sheshi i Shën Pjetrit i priti përsëri Pashkët i shndërruar në lulishtë

Pashkë në Sheshin e Shën Pjetrit - AFP

16/04/2017 15:59

Papa Françesku, sot në festën e Pashkëve në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, tha “Falënderoj në mënyrë të posaçme, ata që dhuruan dhe kompozuan  zbukurimet me lule, të cilat edhe sivjet vijnë nga Vendet e Ulëta”.

Pra, është falënderimi i Papës Françesku për lulishtarët holandezë, që e shndërruan përsëri Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan, në kopsht të lulëzuar, simbol i gëzimit për Ngjalljen e Krishtit. Mijëra lule e bimë zbukuruese erdhën nga Holanda, për ta stolisur edhe më shumë Sheshin e përmendur, në Festë. Zbukurimi me lule, përveçse nënvizon shenjtërinë e liturgjisë, është i pasur me elementet simbolike të mesazhit të Pashkëve të Papës Françesku.

Edicioni i 31-të i këtij zbukurimi me rastin e Pashkëve, vepër e një skuadre lulishtarësh holandezë, të koordinuar nga Paul Deckers, që merr pjesë për të 30-tën herë në një ngjarje, të cilën e ndjek bota mbarë.

Paul rrëfen: “Ky çast, që përsëritet çdo vit, është thellësisht magjik! Kamioni me lulet, ngarkuar në Holandë, arrin në Sheshin e Shën Pjetrit të Enjten e Madhe. Ngarkesa shkarkohet menjëherë dhe nis puna për t’i shndërruar mjediset shekullore prej guri, në lulishtë shumëngjyrëshe. Gjithë Sheshi mbushet me ngjyra. Pemë e lule vendosen në mënyrë që të mos e pengojnë asnjë lëvizje gjatë Meshës, ndjekur nga mijëra shtegtarë të pranishëm në Shesh e mijëra të tjerë,  nga ekranet, në mbarë botën.  

Përgatitjet për këtë kopsht të mrekullueshëm, nisën që në vjeshtën e kaluar, me seleksionimin e luleve e të drurëve më të bukur. Pozicioni i tulipaneve të lulëzuara përballë Bazilikës dhe në këmbët e shkallave  krijon një pamje aq mahnitëse, sa të duket sikur nuk je në Romë, por në ledinat e lulëzuara të vendeve të Ulëta. Lulet harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme me bimët zbukuruese: që nga zymbylat ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu, tek tulipanet me të njëjtat ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet, ndërmjet të cilëve edhe narcizi i famshëm WestWard, azaletë, pastaj kumbullat e  drunjtë e tjerë përplot me lule, me lartësi deri në 4 metra. 

Harmonizimi i ngjyrave ka edhe vlerë simbolike: si zakonisht sundojnë ngjyrat e Vatikanit,  bardh e verdh. E ngjyra e bardhë e zëmbakëve, është edhe emblemë e pastrisë, që në ikonografinë e krishterë përfaqëson Virgjërën Mari!

Shkëlqim e forcë i jep kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë papë, kardinaj, ipeshkvij, kremtime, lule, njerëz… E edhe shumë shenjtorë. E sivjet, po shikon përsëri në Lozhën e Bekimeve, Papën Bergolio, Françeskun.

Pashkët e sivjetme janë të veçanta, sepse, të kremtuara në të njëjtën ditë, ditë ogurmirë, nga katolikët e ortodoksët! 

16/04/2017 15:59