2017-04-16 11:43:00

Papa Natën e Pashkëve: t’ua dhurojmë të gjithëve shpresën e Krishtit të Ngjallur


Dhembja e Marive, nësa vizitojnë Varrin, është dhembja e njerëzve, që pësojnë padrejtësi. Papa Françesku, në homelinë e Natës pa gjumë të Pashkëve, me vajin e grave, të mbytura në lot për vdekjen e Krishtit, kujtoi se me ngjalljen, Zoti u dhuron njerëzve një shpresë të re.

Në fytyrën e Marisë Magdalenë dhe Marisë tjetër, që vizitojnë varrin,  mund të shikojmë fytyrat e shumë nënave dhe gjysheve, fytyrat e fëmijëve e të rinjve, që mbartin barrën e dhimbjes, të padrejtësisë së padurueshme çnjerëzore. Në fytyrat e zbehta, të lagura nga lotët, të dy grave, që qajnë për vdekjen e Zotit, gra burrnesha, që nuk ikin, rezistojnë, i bëjnë ballë jetës ashtu si vjen e janë të zojat të durojnë shijen e hidhur të padrejtësive, pasqyrohen fytyrat e të gjithë atyre që, duke ecur udhëve të qyteteve, ndjejnë dhembjen e mjerimit, dhembjen e shkaktuar nga shfrytëzimi, nga trafiku dhe e shikojnë dinjitetin e tyre të kryqëzuar:

“Pasqyrohen edhe fytyrat e atyre, që provojnë përbuzjen, sepse janë emigrantë, jetimë pa atme, pa shtëpi, pa familje; fytyrat e atyre, në sytë e të cilëve shihet vetmia e braktisja, sepse njerëz me duar plot rrudha. Pasqyrohen fytyrat e grave, të nënave, që qajnë, ngaqë shikojnë sesi jeta e bijve të tyre mbetet e varrosur nën peshën e korrupsionit, që ua mohon të drejtat e ua copëton ëndrrat me thundrën e egoizmit të përditshëm, që kryqëzon e varros shpresën e shumëkujt, nën burokracinë paralizuese e shterpë, e cila nuk lejon që punët të ndryshojnë”.

Ashtu si dy gratë para varrit, që nuk duan ta pranojnë se gjithçka duhet të përfundojë kështu, edhe besimtarët mund të nxiten të ecin e të mos nënshtrohen. Por - vijoi të shpjegojë Papa - ndonëse zemra e di që gjërat mund të jenë ndryshe, mund edhe të mësohet, pa u kujtuar fare, të bashkëjetojë me varrin, të bashkëjetojë me zhgënjimin. Mund të bindet se kështu qenka ligji i jetës, e kështu edhe të anestetizohet, të shkëputet nga realiteti, gjë që nuk bën tjetër, veçse të shuajë shpresën që e vuri Zoti në duart tona. E ja se shkuarja  mund të jetë si e grave, ndërmjet dëshirës për Zotin, e nënshtrimit. E, në këtë rast, nuk vdes vetëm Mësuesi, vdes shpresa jonë. Po Zoti i dhuron një të papritur popullit të tij besnik. I tregon se jeta fsheh farën e Ringjalljes:

“Rrahja e zemrës së të Ngjallurit na jepet si dhuratë, si horizont. Rrahja e zemrës së të Ngjallurit është forcë shndërruese, tharm i njerëzimit të ri. Me Ngjalljen, Krishti jo vetëm e flaku gurin e varrit, por dëshiron të flakë edhe të gjitha pengesat, që na mbyllin në pesimizmin tonë shterpë, në ambicionet e pafundme, që të çojnë deri atje, sa të luash me dinjitetin e tjetrit”.

Papa u kërkoi, kështu, besimtarëve, ta kumtojnë rrahjen e zemrës së të Ngjallurit. Krishti jeton – kujtoi – e…:  

“Ashtu si hymë me gratë në varr, kështu, me to, ju ftoj të shkojmë, të kthehemi në qytet. Të shkojmë bashkë me to, për ta kumtuar e për ta  jetuar së bashku  lajmin, të shkojmë…. Në të gjithë ato vende, ku duket se varri e pati fjalën e fundit e ku mendohet se vdekja ishte rrugëzgjidhja e mbrame. Të shkojmë e ta kumtojmë, ta ndajmë bashkë lajmin e t’i sigurojmë të gjithë se është i vërtetë: Zoti është gjallë! Është gjallë e dëshiron të rilindë në shumë fytyra, që e kanë varrosur shpresën, i kanë varrosur ëndrrat, e kanë varrosur dinjitetin. E nëse nuk jemi të aftë ta lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë në këtë rrugë, atëhere nuk jemi të krishterë!”.

Të shkojmë, pra, e të mahnitemi nga ky agim i ndryshëm, të mahnitemi  nga risia, që mund të na japë vetëm Krishti. Ta lëmë që, me dhembshurinë e tij e me dashurinë e tij t’i vërë në lëvizje hapat tonë, ta lëmë që rrahja e vrullshme e zemrës së tij ta gjallërojë rrahjen e ligshtë të zemrës sonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.