Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Mos e kërko Krishtin ndër të vdekur. Është i gjallë. Të prin…

Krishti u ngjall!

16/04/2017 11:33

Mos e kërko Krishtin e ndër të vdekur.  Është i gjallë e të prin…

Mos e kërko Krishtin ndërmjet të dëshpëruarve të një bote, që pretendojnë se është  bërë me masën e tyre, për përdorim e konsum!

Mos e kërko ndërmjet njerëzve, që gjithë jetën nuk bëjnë asnjë të mirë!

Mos e kërko ndër shpirtra, që enden si era, pa cak!

Mos e kërko Krishtin në njerëz, që të paguajnë për të të përdorur si shqyt kundër armiqve të tyre e pastaj të vrasin e të qajnë!

Mos e kërko në njerëz që, me drurin e Kryqit të Zotit, duan të ndërtojnë tribunën e lavdisë së tyre, duke ndërruar ngjyra për ças!

Mos e kërko Krishtin atje, ku mbillet droga, që mbush plot xhepat e njerëzve shpirtprishur, e mbyt fëmijën tënd!

Mos e kërko atje, ku shitet korp e shpirt për pushtet!

Mos e kërko Krishtin atje, ku derdhet një lum fjalësh boshe, ndërsa ty të mungon streha, buka e përditshme e luhatesh si pendul i kobshëm ndërmjet lypësisë e vetëvrasjes!

Mos e kërko Zotin ndërmjet atyre, që të flasin për horizonte të pafundme e të mbyllin në rrethin e ngushtë të premtimeve boshe, që bëhen mjerim.

Mos e kërko Krishtin atje, ku njeriu i ligshtë bëhet mjet në dorën e të fortit, për interesa që rrënojnë të sotmen e të ardhmen e një populli të tërë.

Mos gabo ta kërkosh Krishtin, në tregjet e pazardhëqeve politike e të shitjes së armëve!

Mos e kërko Krishtin ndërmjet atyre, që premtojnë avull e ëndrra!

Mos e kërko Krishtin në buzë, që dinë të puthin vetëm të vdekurin!

Kërkoje Krishtin e gjallë në sytë e ndershëm, që nuk dridhen, as nuk ngurrojnë ta shikojnë tjetrin në dritë, duke ia zbuluar të gjitha të fshehtat e shpirtit.  

Kërkoje Mëshirën e mishëruar në gjymtyrët e ligshta të  ferishteve në djepa!

Kërkoje Krishtin në krahët, që ua mbyllin gojën peshkaqenëve, kur guxojnë ta çojnë kryet kundër Hyjnisë së epër.

Kërkoje…. E do ta gjesh ndër aradhet e pafundme të njerëzve, që këndojnë Aleluja

Në krye të varganit të tyre është Ai, i Ngjalluri!

16/04/2017 11:33