2017-04-16 14:07:00

Françesku: Jezusi mister i gurit të flakur, themel i jetës sonë


“Kuptimi i jetës është besimi në Krishtin e ngjallur”. Kjo, sinteza e fjalës së Papës, duke kryesuar Meshën e Ditës së Pashkëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë mijëra besimtarëve, mbledhur që në orët e para të mëngjesit. Françesku nënvizoi se Ngjallja e Jezusit është misteri i gurit të hedhur, që bëhet themel i jetës sonë:

“Sot Kisha përsërit, këndon, brohoret: ‘Jezusi u ngjall!’. Françesku u nis nga gëzimi i dritës, së cilës menjëherë i kundërvuri zemrën e mbyllur nga trishtimi i orës së parë të Pjetrit, Gjonit dhe grave, që shkuan tek Varri i zbrazur, për të kaluar përsëri tek kumti gazmor i Engjëllit, i cili thotë: ‘Nuk është këtu. U ngjall!’”.

Kryqi, udhë e dijes

Duke kujtuar bisedën e djeshme telefonike me një djalë të sëmurë rëndë, Françesku theksoi se vdekja e Krishtit në kryq është udhë feje, që na ndihmon t’i kuptojmë fatkeqësitë, sëmundjet, shkatërrimet, urrejtjen. Kisha vijon të thotë: "Ndalu, Krishti u ngjall!”.

Guri i flakur tutje, themel i jetës

Kjo nuk është fantazi - kujtoi Papa. - Ngjallja e Krishtit nuk është thjesht festë me shumë lule, edhe pse e bukur, është shumë më tepër: është misteri i gurit të hedhur tutje, që bëhet themel i jetës sonë.

Në këtë kulturën e hedhurinës - vijoi - ku çka nuk vlen, përdoret e hidhet tutje, ky gur i hedhur bëhet burim jete.

Horizonti i Krishtit

E ne, edhe ne guraleca në këtë tokë plot me dhimbje e tragjedi, me besimin në Krishtin mund të shikojmë tutje, me kuptimin që na shtyn të themi “Shiko përpara, nuk është mur, është horizont, ka jetë, gëzim, është Kryqi me këtë dyvlershmëri. Shiko përpara, mos u mbyll. Ti, guralec, jeta jote e ka një kuptim, sepse je guralec i marrë nga ai gur, ai gur, që ligësia dhe mëkati e hodhën tutje”.

Basti i njeriut

Françesku, pra, e shikoi njerëzimin, si një grumbull guralecash, grimca të gurit të gjallë, që është Krishti dhe e nxiti të vihet në praninë e Zotit me të gjitha ankthet, pyetjet, paqartësitë, problemet e përditshme e tragjeditë njerëzore, duke thënë:

 “Nuk e di sesi shkon kjo punë, por e di mirë se Krishti u ngjall e unë kam vënë bast mbi këtë. Kthehuni në shtëpi sot - përfundoi Papa - duke përsëritur në zemrën tuaj: ‘Krishti u ngjall!’”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.