2017-04-15 12:54:00

Papa kryesoi Udhën e Kryqit në Koloseum: teksti i lutjes


Papa Françesku kryesoi mbrëmë, në Koloseum, Udhën tradicionale të Kryqit të së Premtes së Madhe. Në përfundim shqiptoi këtë lutje:

“O Krisht, i lënë vetëm, i tradhtuar deri nga tuajt e i shitur me çmim fare të ulët.

O Krisht, i gjykuar nga mëkatarët, i dorëzuar nga Krerët.

O Krisht, i larë në gjak, i kurorëzuar me ferra e i veshur me purpur.

O Krisht, i shporuar nga heshta, që e përshkoi tej e mbanë zemrën tënde.

O Krisht, i goditur e i gozhduar egërsisht.

O Krisht, i vdekur e i varrosur, ti që je Zoti i jetës e i qenies.

O Krisht, i vetmi shëlbues, rikthehemi tek Ti edhe këtë vit me sy përdhe nga turpi, por me zemër plot shpresë.

Turp, për të gjitha pamjet e shkretimit, të shkatërrimit e të përmbytjes, e zakonshme tashmë në jetën tonë.

Turp, për gjakun e pafajshëm, që derdhet ditë për ditë: gjak grash, fëmijësh, emigrantësh, njerëzish të persektuar për shkak të ngjyrës së lëkurës ose të përkatësisë së tyre etnike e shoqërore e edhe për besimin në Ty.

Turp, për të gjitha herët që, si Juda e Pjetri, të shitëm e të tradhtuam e të lamë të vdesësh vetëm, për mëkatet tona, duke dredhuar si burracakë përpara  përgjegjësive.

Turp e marre për heshtjen tonë, përballë padrejtësive, për duart tona, përtace për të dhënë, të pangopura, për të marrë e për të fituar.

Turp, për zërin buçimtar, kur mbrojmë interesat tona, e të shuar, kur flasim për ato të të tjerëve; për këmbët tona, që ngasin në pika të vrapit në rrugën e së keqes, e paralizohen, në atë të së mirës.

Turp për të gjitha herët që ne, Ipeshkvijtë, Meshtarët, Rregulltarët e Rregulltaret, e shkandulluam dhe e plagosëm trupin tënd, Kishën; për çdo herë, që e harruam dashurinë tonë të parë, entuziazmin e parë, gatishmërinë tonë të plotë, duke i lënë të na ndryshken zemrën e shugurimin.

Shumë turp, o Zot, por zemra jonë ka mall edhe për shpresën besimplote  se Ti nuk do të sillesh me ne, sipas meritave tona, por vetëm sipas  begatisë së mëshirës sate; se nuk do të na mungojë dashuria jote, për shkak të tradhtive tona; se zemra jote, amtare e atërore, nuk na harron për shkak të ngurtësisë së përmbrendcave tona!

Nuk do të na mungojë shpresa jote:

Shpresa e sigurt se emrat tanë janë të skalitur në Zemrën tënde e të ngërthyer në beben e syrit tënd.

Shpresa se Kryqi yt i shndërron zemrat tona të ngurrta, në zemra mishi, të afta të ëndërrojnë, të falin e të duan: shndërroje, o Zot këtë natë të errët, në agimin rrezëllues të Ringjalljes; Shpresë se besnikëria jote nuk bazohet mbi tonën.

Shpresa se aradhja e burrave e grave besnike ndaj Kryqit tënd vijon e do të vijojë të jetë besnike, si tharm që jep shije e si dritë, që hap horizonte të reja  në korpin e humanizmit tonë të plagosur;

Shpresa se Kisha jote do të përpiqet të jetë zë që bërtet në shkretëtirën e njerëzimit, për të përgatitur udhën e kthimit tënd triumfal, kur do të vish rishtas për të gjykuar të gjallët e të vdekurit;

Shpresa se e mira do të ngadhënjejë, pavarësisht se sot duket e mundur pa ardhmëri;
O Zot Jezus, Bir i Zotit, viktimë e pafajshme e shpërblimit tonë, përballë flamurit tënd mbretëror, misterit të vdekjes e të lumnisë sate, përballë  kryqit, gjunjëzohemi, plot me turp, por edhe me shpresë, e të lutemi të na lash në lumin e gjakut e të ujit, që gurruan nga Zemra jote e shporuar; të na i ndjesh fajet e mëkatet tona.

Të lutemi të kujtohesh për vëllezërit tanë të dërrmuar nga dhuna, indiferenca, lufta:

Të lutemi t’i këputësh zinxhirët, që na mbajnë lidhur në egoizmin tonë, në verbërinë tonë vullnetare e në kotësinë e llogarive tona  njerëzore.

O Krisht, të kërkojmë të na mësosh të mos turpërohemi kurrë nga Kryqi yt, të mos e përdorim për interesat tona, por ta nderojmë e ta adhurojmë, sepse me të Ti na tregove sa të përbindshme janë mëkatet tona e sa madhe, dashuria jote; sa e ulët padrejtësia e gjykimeve tona, e sa e pushtetshme mëshira jote. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.