2017-04-14 11:25:00

Udha e Kryqit: Koloseum, e Premtja e Madhe e Pashkëve, 2017


Sonte, në amfiteatrin romak Koloseum, kremtohet Udha e Kryqit e së Premtes së Madhe, udhëhequr nga Papa Françesku, Udha e Kryqit mbahet ndërmjet gërmadhave të amfiteatrit, ku janë regjistruar fytyrat e martirëve të lashtë dhe britmat e tyre, kur kryqëzoheshin, shqyheshin nga bishat, digjeshin me peshkve ngulur në hunj, në emër të Krishtit…. e edhe emrat e martirëve të rinj, ndërmjet të cilëve edhe të atyre shqiptarë, në këtë vend plot domëthënie pra kremtohet Udha e Kryqit e së Premtes së Madhe, kryesuar nga Papa Françesku, rrethuar nga shtegtarë, ardhur prej mbarë botës. 

Nuk është tradicionale, kjo Udhë Kryqi, e shkruar nga Anne-Marie Pelletier, bibliste franceze, autore e meditimeve. Stacionet pasqyrojnë çastet që autores iu dukën më kuptimplote në udhën e Jezusit drejt Golgotës: mohimin e Pjetrit, gjykimin e Pilatit, dramën e Cireneut, vuajtjen e Krishtit kur shikon burra e gra, e deri fëmijë, që vuajnë, dhunohen, torturohen e vriten, heshtjen e së Shtunës së Madhe,  e deri te skena më ngazëlluese, ajo e varrit të zbrazur, e Krishtit të ngjallur.

Anne-Marie Pelletier deshi t’u krijonte hapësirë edhe grave në Udhën e saj të Kryqit, prandaj citon Katerinën e Sienës dhe Ety Hillesum, ndërsa ndërmjet dëshmitarëve të kohës sonë, kujton murgjërit e Tibhirinës. 

Menjëherë pas Stacionit të parë, atij të “Dënimit të Jezusit me vdekje, ndodhemi para dramës së Pjetrit. Dramës së tmerrshme e të vazhdueshme njerëzore të mohimit!

Është Stacioni II. Ka kaluar rreth një orë nga kapja e Jezusit e dikush aty pranë, duke ia ngulur sytë Pjetrit, ngulmon e thotë: “Në vërtetë edhe ky ishte me të, është galileas edhe ky! Po Pjetri përgjigjet: “Ç’thua, kështu, or ti?” E mohon, që pa gëdhirë faqenxirë! E në sa i shqipton këto fjalë, këndon gjeli. Atëherë Krishti kthehet e ia ngul sytë, e Pjetrit i kujtohet fjala, që ia kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, sot do të më mohosh tri herë”. E del jashtë e qan me lot të hidhur.

Meditim:

Rreth një mangalli me zjarr bubulak, në oborrin e sinedrit, Pjetri e ndonjë tjetër, ngrohen në ato orë të akullta të natës, plot me ecejake të ethshme. Atje brenda vendoset fati i Jezusit, ballë për ballë me akuzuesit. Kërkojnë vdekjen e Tij.

Armiqësia përreth fryhet, si batica. Ndizet, si kallamishta. Urrejtja bëhet mal. Shumë shpejt një turmë uluritëse kërkon nga Pilati lirimin e Barabait e dënimin e Krishtit.

Vështirë të deklarosh se je mik i të dënuarit me vdekje, pa t’u rrënqethur gjithë shtati. Besnikëria e Pjetrit nuk arrin t’i përballojë fjalët plot dyshim të shërbëtores, portiere e atij vendi.

Të pranosh se je dishepull i Rabiut galileas, do të thotë se besnikëria ndaj Jezusit vlen më shumë se jeta! Po kur ndodhesh në rrethana të tilla, të duket tejet e vështirë ta dëshmosh të vërtetën! Tepër shpesh, në këto rrethana, njerëzit zgjedhin mohimin… E edhe Pjetri është njeri. Tradhton, tri herë. Pastaj sytë e tij ndeshen me sytë e Jezusit. E lotët i rrjedhin faqeve, të hidhur e të ëmbël njëheresh, si uji që lan e pastron çdo ndyrësi.

Shumë shpejt, si kishte kaluar ndonjë ditë,  pranë një zjarri tjetër, në breg të liqenit, Pjetri do ta njihte Zotin e tij të ngjallur, i cili do t’ia besonte  delet e veta! E që aty e mbrapa do të ishte besnik deri në vdekjen, që do ta bashkonte përgjithmonë me Krishtin.

Lutja:

O Zot, Hyji ynë, ti deshe që Pjetri, dishepulli mohues e i falur, të merrte mbi vete barrën e bariut të grigjës…

Vulosi zemrat tona me vulën e besimit e të gëzimit, që buron nga vetëdija se në ty mund t’i kapërcejmë honet e frikës, të pabesisë, të mohimit. Premto që ngurrtësia jonë e dëshpërimet tona të mos e bëjnë kurrë të kotë Ngjalljen e  Birit tënd!

O Krisht, që vdiqe për mëkatet tona,

Që u ngjalle për jetën tonë,

Të lutemi, ki mëshirë për ne”!

Ky është vetëm fillimi: Udha e Kryqit vijon. Reflektimet e saj sjellin tek këmbët e Kryqit botën tonë, me të gjitha shembjet e saj, me dhimbjet, thirrjet e revoltat, me gjithçka gjëmon sot në trojet e mjerimit e të luftës. Prej ultësirave të tokës, njeriu i mjerë lëshon zërin e i lutet Zotit ta ndihmojë, t’ia dëgjojë  lutjen urë-pervûjtë, që i bëjnë sot familjet e ndara, të burgosurit në pranga, emigrantët nga barkat e ngarkuara mbi të cilat shtegton vetë vdekja. Lutjen që dëgjohet me një fill zëri nga skutat, ku njeriu vdes i vetmuar e i harruar nga bota potermadhe.

Tepër mjerim, tepër lot, që nuk humbasin pa shenjë pa dukë në oqeanin e kohës, sepse i mbledh Ai, për t’i shndërruar në misterin e dashurisë, i cili e thith  dhe zhduk gjithë të keqen.

Stacionet kanë këtë skemë: leximi i një fragmeti biblik, meditimi dhe lutja. Fjala kryesore, që i shoqëron 14 stacionet e kësaj Udhe Kryqi,që kremtohet në Koloseum, kryesuar nga Papa, është mëshira. E mëshira është vetë “emri i Zotit”, emër që duket si “marrëzi” – na kujton autorja. E në Stacionin e pestë - titulluar “Jezusi mbart kryqin”, pohon prekshëm: “Nuk ka rënie, që mund të na përjashtojë nga mëshira jote, nuk ka humbje as humnerë aq të thellë, ku ti nuk mund ta gjesh atë që humbi udhën e u rrokullis në lugje të verbra.

Pranë Zotit në orët e Tij të fundit, autorja e Udhës së Kryqit vë edhe një grua hebreje, një teolog ortodoks dhe një bari protestant, duke i dhënë kësaj udhe dramatike, ngjyrim të fortë ekumenik dhe ndërfetar.

Me ngjyrime femërore, Stacioni i shtatë, ku përshkruhet çasti kur Jezusi i fton bijat e Jeruzalemit të qajnë me lot gjaku – lot që na i kujton edhe Shën Katerina e Sienës, cituar në këtë Udhë Kryqi.

Në Stacionin e shtatë, përsëri në këmbë, Etty Hillesum, që mbrojti deri në fund mirësinë dhe jetën, në mes të ferrit nazist. Në atë ferr, ajo përpiqet të fshijë lotët nga sytë e Zotit, që sheh e qan për mjerimin e bijve të tij. “Përpiqem të të ndihmoj” - i thotë Zotit në lutje, me një guxim femëror e hyjnor, njëheresh.

Në Stacionin e nëntë, kur Jezusin e zhveshin, kujtohet filozofi grek i kohëve tona, Christos Yannaras dhe përpjekja e tij për të shpjeguar se Shpirti Shenjt na mëson “gjuhën e Zotit”. Krishtin fëmijë - shkruan filozofi - e shikojmë krejt të zhveshur mbi grazhd; të zhveshur, kur merr pagëzimin, si të ishte shërbëtor; të zhveshur, si keqbërës, varur mbi drurin e kryqit. Edhe kështu e shpreh dashurinë e tij për ne”.

Stacionet ia zënë vendin njëri–tjetrit: në të dhjetin, Jezusin e mbërthyer në kryq vijojnë ta tallin, e autorja na kujton se “vetëm një Zot i ligështuar kësijoj mund të na shpëtojë”, siç shkroi pastori Dietrich Bonhoeffer, pak muaj para se të vdiste i vrarë.  E siç na e kujtojnë edhe murgjërit trapistë të masakruar nga fraksionet fundamentaliste islamike, në vitin 1996. Biblistja na kujton se murgjërit e Tibhirines lutjen “Çarmatosi, o Zot”, e shndërruan në “Çarmatosna, o Zot!”.

Figurat femërore spikasin posaçërisht në dy Stacione, me vulë mariane. Në Stacionin XI nënvizohet madhështia e Marisë: “Fill në këmbë, ajo nuk dezerton. Stabat mater! Në errësirë të dendur, ajo nuk e humbet kurrë besimin se Jezusi do t’i mbajë premtimet: heshta, që shporon ijen e Birit, shporon edhe zemrën e saj. Nësa Ëmë e Bir rrethohen nga njerëz me kthetra në duar, gati për t’i nxjerrë shpirtin vëllait, Maria, si i Biri, mbështetet deri në fund të fundit vetëm në vullnetin e Atit.

E, Stacioni i trembëdhjetë - kur Jezusin e zbresin nga kryqi, mbyllet me një këngë kushtuar Marisë:

O Zoja  Mari,

nuk ke pse loton,

yt Bir, Zoti ynë,  

në paqe pushon.

 

E Ati i hap portat 

e jetës në lumni:

“Mos qaj, pra, o Zojë

Ti gëzoju, o Mari!”.

 

Gëzoju e këndo,

o Zojë fort e fort,

se Biri yt Jezus,

ngadhënjeu përmbi mort.

 

E sot mbarë njerëzimi

me ty bashkë këndon:

“Jezusi i ngjallur

mbi vdekjen fiton”.

Në Koloseum, njëheresh me kohë tejet të lashta, shikojmë edhe pamje rrënqethëse nga kohët tona. Çdo Stacion krijon rastin për të na kujtuar se jemi mëkatarë e bashkëpunëtorë të vdekjes, se nuk duhet t’u nënshtrohemi idhujve të suksesit e të lavdisë, se Jezusi nuk e mbarti Kryqin si trofe e nuk i ngjet asnjërit nga heronjtë e fantazisë sonë, që i mposhtin armiqtë  e tyre  të mbrapshtë me shpatë.

Nga druri i kryqit, në Koloseum, sonte Krishti na flet përsëri e na thotë:

 Njerëz! Jeni të gjithë të një gjinie e të një gjaku! Këtij gjaku që po derdhet për ju në kryq.

Ju e lexoni me vjet librin e historisë e sytë ju shndërrohen në ujë, por pa  mundur të hyni në mister. E pa misterin, s’ia delni t’ia thyeni fuqinë së keqes: fuqinë ia thyen veç Kryqi.

Njeriu i vjetër, që më ndjek, me barrën e rëndë të jetës mbi shpinë, mund edhe të rrëzohet. Por edhe të ngrihet përsëri në këmbë e të riniset, me frymë të re, në shtigjet e thepisura, me trup të lodhur, por me shpirt të përtërirë.

Njeriu i ri gëzon në harmoninë e horizonteve, që i hap Udha e Kryqit, caku i së cilës është ngadhënjimi mbi vdekjen!

Lutje te këmbët e kryqit

Në terrin e kësaj nate tragjike,

dëgjoje, o Zot, britmën

lartuar drejt Teje nga Toka

e zhytur në mjerim,

në kërkim të së vërtetës

udhës

jetës!

Ti je e vërteta!

Nga ti buron bukuria,

nga ti, drita e mendjes,

tingulli i muzikës,

ngjyra e pikturës,

e vargu i vjershëtorit!

Ti je udha!

Hap hulli të drejta ndër karma;

fuqi të reja i jep plorit,

e je zotëria i shtegut

ku e keqja na zë pritë,

e i yjeve në qiell.

Ti je jeta!

Njeriu nëpër ty

në kandar e peshon Planetin!

Ti  e zbulon

dhe skutën më të fshehtë

ku struket vdekja,

I del në fushë të mejdanit

me kryq, dhe ngadhënjen,

sepse Ti vetë je jeta! 








All the contents on this site are copyrighted ©.