2017-04-14 16:30:00

Motër Majlindja Topalli: Lutja Jezusit në kopshtin e Gjetsemanit


Sot, të Premten e Madhe të Pashkëve, kur Kisha kundron Mundimet, Kryqëzimin me vdekje të Shëlbuesit të njerëzimit, Jezu Krishtit, motër Majlinda Topalli, në reflektimet e saj mbi lutjen, në pjesën e 6-të, përshkon çastet vendimtare Jezusit, në lutjen e Tij drejtuar Atit Hyjnor, në kopshtin e Gjetsemanit, në pragun e nisjes së udhës së kalvarit. Në Gjetsemani Biri lutej, nëse ishte e mundur, të largohej prej Tij kelku i Mundimeve, por menjëherë shprehte gatishmërinë e tij të plotë që të bëhej vullnesa e Atit. I dëgjueshëm për hir të dashurisë për ne, Biri u ofrua në flijim, duke përmbushur veprën e shëlbimit. Pra,  lutja që Jezusi i drejton Hyjit Atë është ngjarje për t’u përkujtuar, është kujtesë për t’u kremtuar, është moment për t’u jetuar, siç pohon Motër Majlinda Topalli, ta dëgjojmë...

        Motër Majlindja Topalli

LUTJA E JEZUSIT NË GJETSEMAN

Në kopshtin e ullinjve në Gjetsemani njoha mëkatin e gjithë njerëzimit. U bëra hajdut, vrasës, gënjeshtar, blasfemues  ( Krh Gjn 19, 4-8) dhe rebel i Atit që gjithmonë e kam dashur ( Gjn 14, 22) Jam përgjigjur Atit tim sikurse të isha i njollosur nga të gjitha papastërtitë. Dhe është pikërisht në këtë që konsiston të djersitem  gjak ( Lk 22, 44): gati si kundërshtim para së keqes, para asaj peshe të mëkatit që ishte ulur këmbryq në njeriun ... Por jam bindur  deri në fund të fundit, deri në pikën e fundit të gjakut, për dashurinë që kisha për ty u mbulova me atë njollë të së keqes, vetëm që të shpëtoj nga dënimi i amshuar.( Gjn 13,31 ).  Askush nuk do më besoj se kam vuajtur më shumë atëherë se sa në kryq , edhe pse kryqi ishte i dhimbshëm, sepse qartësisht dhe me këmbëngulje mu tregua se mëkati i çdonjërit ishte bërë mëkati im dhe unë duhej të përgjigjesha për çdonjërin ( 2 Kor 5,21). Si i pafajshëm që isha , ju përgjigja Atit , sikurse të isha unë në faj dhe i padrejtë. Imagjinoje pra sa dhimbje kisha atë natë ndërsa po lutesha në kopsht. Përtej çdo imagjinate, përtej asaj që njeri mund të mendojë, provova  vetminë, braktisjen, dhimbjen dhe vdekjen ( Mk 14, 34 ). Këtu njoha në mënyrë të drejtpërdrejt peshën e refuzimit që njeriu ja kishte bërë Atit tim.

E di do të kishte mjaftuar një fjalë e imja dhe aty do të kisha shpëtuar, por jo; aty ku njeriu kishte gjetur vdekjen, aty do të fitojë edhe jetën  ( Rm 5, 12) kështu vendosa të qëndroj deri në  dhimbjen e fundit këtu me ju, sepse kështu deshi Urtia dhe Dashuria.

Ishte aty në kopshtin e Ullinjve në kulmin e dhimbjes dhe njeriu që unë doja të isha u përkul, fizikisht i shkatërruar, nuk ndieja më asnjë forcë në mua. Ne këtë moment Engjëlli im mu afrua dhe me pëshpëriti se sa do kishin vuajtur krijesat e mia besnike  në emër të kësaj vuajtjeje që unë po pësoja. Persekutime, shpifje, gënjeshtra, mashtrime, do të shkojnë edhe deri në burg sepse janë dishepujt  e mi, janë ato që besojnë në mua, nuk më tha sa lavdi do kenë por sa dashuri do japin. Në këtë moment e mora veten, i dhashë vetes forcë dhe mes vuajtjes, lotëve dhe fitores i mora njerëzit mosmirënjohës dhe mëkatin  e tyre dhe ju riktheva dinjitetin.

Ishte nata e shpëtimit, ku unë u zëvendësova me çdo mëkatar dhe mora mbi vete çdo të keqe, e mora njeriun dhe e bëra hyjnor dhe aty mësova se çfarë do të thotë të jetosh si njeri. Të dashurit  e mi, Gjetsemani është një det pa fund, një oqean dashurie ku çdo person, çdo gabim u zhyt aty dhe unë e ndjeva mbi lëkurën time. Dashuria për Atin dhe dashuria për njerëzimin më bën të zgjedh të jem vullnetarisht viktimë.  

Ai më ka përgatitur Altarin , mbi të cilin unë duhet të sakrifikohesha, më është dashur të prisja këtë natë për t’ju treguar njerëzve masën me të cilën i ka dashur Ati, kryqëzimi im, Biri  i tij i vetëm , krijesa e Tij e parë, ku nuk kishte më asnjë bukuri në vete ( Is 53, 2)

 Dalëngadalë gati pa asnjë forcë, kisha arritur tashmë në këmbët e atij Altari mbi të cilin Sakrifica ime ishte gati për tu konsumuar. 

Çfarë nate ishte Ajo!   Çfarë ankthi, në zemrën time, mendimit terrorizues të mëkatit të njeriut! Isha drita dhe shihja vetëm terr; isha zjarri dhe gjithçka ndihej përreth meje; isha dashuria dhe nuk ndieja asgjë tjetër përveç se tradhti; isha gëzimi dhe ndieja vetëm trishtim; Isha Zot dhe shihja veten si asgjë; isha Krishti, i shuguruari i Atit dhe isha i përvuajtur; isha ëmbëlsia dhe kisha brenda meje vetëm zemërim; isha gjyqtari dhe po gjykohesha, gjykimin tuaj; isha shenjti dhe trajtohesha si mëkatari më i madh,

Për çfarë e gjithë kjo?  Unë isha ju  që  ju të mund të vini tek unë  (Lk 9,23-24)

E ti si  ndihesh tani? A mendon të më përngjash sado pak? Mbështeti edhe ti gjunjët e tu në tokën e sakrificës sate dhe thuaj me mua “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”        ( Mk 14,36) 








All the contents on this site are copyrighted ©.