2017-04-13 17:40:00

Pashkë në Jeruzalem


Nuk ka të krishterë, që të mos dëshirojë të shkelë në Tokën Shenjte, por jo të gjithë mund t’i vizitojnë trojet, ku koha u nda më dysh: para e pas Krishtit.

A i keni përfytyruar ndonjëherë emocionet e thella, që ndjen shtegtari,  kur, në Jeruzalem, lexohet fragmenti i Ungjillit sipas Mateut, që përshkruan Darkën e Mbrame? “Tani, ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën e, si e bekoi, e theu, ua ndau dishepujve e tha: “Merreni e hajeni! Ky është Korpi im”. Mori, pastaj kelkun, e si falënderoi Atin, ua dha atyre, duke thënë: “Pijeni të gjithë! Sepse ky është gjaku im…”.  E kjo, në sallën e Çenakullit, që mund ta vizitosh këto ditë, ose mund ta përfytyrosh, nësa gjunjëzohesh para elterit, në kishën aty, pranë shtëpisë sate.

Por sa emocionuese do të ishte, po të kishe shkuar edhe ti, në vendin ku u shqiptuan këto fjalë. Sa prekëse, të jesh në natën e errët, në mes të ullishtës, ku Jezusin e puthi ai, emri i të cilit do të bëhej sinonim i tradhtisë, Juda. Ishte puthja më tragjike në histori.…Të jesh në Gjetseman e ta dëgjosh në shpirt jehonën e fjalëve të Krishtit drejtuar dishepujve: “Ju rrini këtu, ndërsa unë po shkoj të lutem” (Mt 26,36).

Shpesh shtegtarët i përshkruajnë emocionet e çasteve të jetuara në Udhën e  dhimbshme, parë si pikë kryesore e shtegtimit të tyre në Tokën Shenjte. Hap pas hapi, stacion pas stacioni, shteg pas shtegu,  arrijnë, më në fund, pas Jezusit, në Kalvar. Dhe e shohin, me sytë e lutjes, në mes të dy keqbërësve, më të djathtë e më të majtë (Lk 23-33). Të kryqëzuar! Duke e dorëzuar shpirtin në duart e Atit. E duke shqiptuar, me frymën e fundit, fjalët: “Atë , o Atë, pse më lëshove dore!”. Ndërsa ti e dëgjon, lutesh e thua: “Atë, o Atë, pash gjakun e derdhur për mua mbi mal të Kalvarit, mos më lësho dore!”. Mund ta shikosh edhe ti këtë skenë, me sytë e mendjes, sonte…Mundesh, pastaj, të prekësh gurin e vajimit, kur “Ata e morën trupin e Jezusit, e mbështollën me fasha spërkatur me bimë aromatike, sipas dokeve të judenjve…(Gjn 19.40).

E në fund, fatlum, ndodhesh para Varrit të Zbrazur. Je në Bazilikën e Varrit Shenjt, vend që shtegtarët  e vizitojnë me nderimin më të thellë,  të vetëdijshëm se pas kësaj vizite, do të nisin një jetë të re. Sepse shtegtimi  në këto vise të shndërron!








All the contents on this site are copyrighted ©.