Meshtarët t’ia çojnë botës gëzimin e Ungjillit, me vetëdijen se ungjillëzimi nuk mund të jetë mendjemadh, as i ngurtë, sepse e Vërteta u bë njeri, u bë dhembshuri - këtë theksoi Papa në Meshën e Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, që i parapriu riteve të Triditshit të Pashkëve.
Meshtarët e dioqezës së Romës u shtrënguan sot rreth Papës për Meshën e Bagmit e për të përsëritur premtimet meshtarake. Papa i ftoi ta çojnë gëzimin e Ungjillit në mbarë botën. Prej këndej, u dha disa porosi, duke nisur nga homelia:
“Kur predikon – shkurt, brenda mundësive - bëje me gëzimin që prek zemrat e njerëzve të tu, përmes Fjalës, me të cilën Zoti të preku ty vetë, me lutjen e Tij. Si çdo dishepull misionar, meshtari e bën gazmor kumtimin me gjithë vetveten”.
Të komunikosh gëzimin - pohoi Papa - domethënë ta bësh në mënyrë që mëshira të gufojë në tokat e askujt. E këtë mund ta bëjë vetëm një meshtar gjithnjë i gatshëm, që e vë kohën e vet në shërbim të të tjerëve. Ungjilli - vijoi – kur kumtohet, bëhet mëshirë gazmore e përdëllyese. Askush - i porositi Papa meshtarët - të mos i ndajë këto tre hire të Ungjillit: Vërtetsinë e tij – të padiskutueshme – Mëshirën - e pakushtëzuar me të gjithë mëkatarët – dhe gëzimin – intim, të thellë:
“E vërteta e Lajmit të Mirë nuk mund të jetë kurrë vetëm e vërtetë absrakte, nga ato, që nuk mishërohen plotësisht në jetën e njerëzve, sepse ndjehen më rehat në letrën e shtypur të librave. As mëshira e Lajmit të Mirë nuk mund të jetë kurrë keqardhje e rreme, që e lë mëkatarin në mjerimin e vet, sepse nuk ia shtrin dorën për ta ngritur përsëri në këmbë e nuk e shoqëron për të bërë një hap para në impenjimin e tij. Kumtimi nuk mund të jetë kurrë i trishtuar, as neutral, sepse është shprehje e një gëzimi thellësisht personal: “gëzim i një Ati, i cili nuk do që të humbasë asnjë nga të vegjlit e tij”(Nxitja ap. Evangelii Gauduim”, 237).
Françesku u paraqiti meshtarëve tri ikona, tri shtamba të reja, enë simbolike prej guri, për të shpjeguar se ku mund të ruhet më mirë Lajmi i Mirë, që vera të mos shndërrohet në uthull. Ikona e parë, ajo e enëve të Dasmës së Kanës, simbol i asaj Ene të përkryer, që është Zoja e Bekuar:
“Por, të dashur, pa Zojën nuk mund të shkojmë përpara në meshtarinë tonë! Ajo është ‘shërbëtorja e vogël e Atit’, që fërgëllon nga gëzimi në lavde (Nx. ap Evangelii gaudium, 286), Zojë e gatishmërisë, ajo, sapo zë në kraharorin e papërlyer Fjalën e Jetës, shkon ta vizitojë të kushërirën, Elizabetën, e t’i shërbejë. Përsosuria e saj ngjitëse na ndihmon ta kapërcejmë tundimin e frikës; të asaj frike, që na pengon të marrim guximin për t’u mbushur deri në grykë, e edhe përtej, apo jo? Asaj frike, që na pengon të shkojmë e t’ua ngjitim gëzimin tonë edhe të tjerëve”.
Ikona e dytë është shtamba, me të cilën samaritania shuan etjen e Jezusit. Dashuri e thellë, konkrete.
Ikona e tretë e Lajmit të Mirë, ena e Zemrës së shporuar të Zotit. Prej Tij - pohon Papa - duhet të mësojmë si t’ua kumtojmë gëzimin e madh atyre, që janë tejet të varfër. Duhet ta bëjmë këtë me respekt e përvujtëri, deri në përulje:
“Nuk mund të jetë fodull ungjillëzimi. Konkret, i butë, i përvujtë: kështu ungjillëzimi bëhet vërtet lajm gazmor. Nuk mund të jetë mendjemadh ungjillëzimi, nuk mund të jetë e ngurtë, tërësia e së vërtetës, sepse e vërteta u mishërua, u bë butësi, u bë fëmijë, u bë njeri, u bë mëkat i mbërthyer mbi Kryq”.
Të dashur meshtarë, duke i kundruar këto tri enë e duke pirë në to, Lajmi i mirë do të ketë në shpirtin tonë atë përsosuri ngjitëse, që Zoja e transmeton me gjithë qenien e saj, do të ketë konkretësinë e thellë të kumtit të samaritanes e thellësinë e butë, me të cilën Shpirti Shenjt gurron e dikohet pambarimisht, nga zemra e shporuar e Jezusit, Zotit tonë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |