2017-04-13 18:50:00

Papa Françesku: më i madhi duhet të bëjë punë skllavi, për të mbjellë dashurinë


T’u shërbesh të tjerëve, si Jezusi, që u bë “skllav për ne!”. Këtë kujtoi Papa Françesku sot, duke e kremtuar Meshën in Coena Domini, ndërmjet të burgosurve të burgut të Palianos, pranë Romës.

E u foli lirisht, me zemër të hapur. U mbajti një bisedë, jo një fjalim: “Në këtë kremtim - u tha Papa gjatë homelisë, transmetuar nga Radio Vatikani - famullitari u lan këmbët besimtarëve. Më i madhi duhet të bëhet skllav, për të mbjellë dashurinë ndër ne. Unë nuk ju them që sot të shkoni e t’i lani këmbët njëri-tjetrit, por nëse mund t’i bëni ndonjë shërbim shokut tuaj, këtu, në burg, bëjani, sepse kjo është njëlloj si t’ia lash këmbët. Njëlloj si të jesh shërbëtor i të tjerëve”.

Tregoi Papa Françesku sesi një herë dishepujt po grindeshin njëri me tjetrin  sepse donin të dinin kush ishte më i rëndsishmi ndërmjet tyre. Papa Bergoglio  kujtoi: “Kush dëshiron të jetë i rëndësishëm, duhet të bëhet  më i vogli e shërbëtori i të gjithëve”. Këtë e bën vetë Zoti, që na do ashtu si jemi. Prandaj gjatë kremtimit, të mendojmë për Zotin. Nuk është kremtim folklorik ky, është gjest për të kujtuar çka na dhuroi Jezusi, që mori bukën - e na dha Korpin; mori verën - e na dha Gjakun e vet. “Të mendojmë, pra, këtë ditë, për dashurinë e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.