2017-04-13 14:52:00

Papa Françesku do t’u lajë këmbët 12 të burgosurve, edhe një shqiptari


Papa Françesku, gjatë Meshës in Coena Domini, që do ta kremtojë sot pasdite në burgun e Palianos, jo larg nga Roma, do t’u lajë këmbët 12 të burgosurve, ndërmjet të cilëve, edhe gra e një mysliman, që do të pagëzohet në qershor. Pastaj, një argjentinas e edhe një shqiptar. Kështu, me këtë gjest dhe me paraqitjen e Nënë Terezës si shembull i dashurisë së krishterë për të gjithë, shqiptarët bëhen më të pranishëm se kurrë në kremtimet papnore, në prag të solemnitetit të Pashkëve 2017.

Papa Françesku do të niset nga Shtëpia e Shën Martës në orën 15.00. Vizita do të ketë karakter privat, pa lidhje televizive të Ctv-së, ndërsa nuk do të mungojë lidhja përmes Radio Vatikanit, në orën 17.50 - deri në orën 18.00, për homelinë, që Papa Bergoglio do ta shqiptojë lirisht.

E me Meshën e larjes së këmbëve, nis Triditëshi i Pashkëve, që do të vijojë nesër, me Liturgjinë e Fjalës dhe të Adhurimit të Krishtit në Kryq, e, në mbrëmje, me Udhën e Kryqit në Koloseum. Pastaj, të shtunën, do të kremtohet Stabat Mater.

Ndërsa të dielën, Dita e Pashkëve, në mesditë, sipas traditës, Papa do të japë bekimin “Urbi et Orbi”, “Romës e Botës”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.