2017-04-13 14:10:00

Françesku: të ndalohen zotërinjtë e luftës dhe trafikantët e armëve!


Papa Françesku shkoi sot në Burgun e Palianos, në Frosinone, pranë Romës, për ta kremtuar Meshën in Coena  Domini, me ritin tradicional, gjatë të cilit u lau këmbët 12 të burgosurve. Takimi me të burgosurit e nxiti Papën për një reflektim më të gjerë, që e realizoi në gazetën “La Repubblica”, kushtuar një misioni, nga i cili Kisha nuk mund të heqë dorë: “Të jetë gjithnjë e afërt me të fundmit, me emigrantët, me hedhurinat e shoqërisë”.  E Papa Bergoglio përsëriti  fjalët e Krishtit: “Kush është pa faj, të hedhë gurin e parë” . Të shikojmë brenda shpirtit tonë, t’i kërkojmë e t’i gjejmë mëkatet tona. Vetëm atëhere zemra bëhet më njerëzore.

Po, si po e jeton Françesku këtë prag Pashkësh, karakterizuar nga një skenar botëror tejet i tensionuar?

“Kërkoj vetëm, me më shumë forcë, paqen për këtë botë, që u nënshtrohet trafikantëve të armëve, të cilët fitojnë me gjakun e burrave, të grave, të fëmijëve”

Atë i Shenjtë, edhe sivjet shkuat në burg. Pse?

“Fragmenti ungjillor i Gjyqit të Mbramë thotë: ‘Isha i burgosur e erdhët të më vizitoni’. Ja, ky është mandati i Jezusit. Vlen njëlloj për secilin prej nesh, por sidomos për ipeshkvin, që është atë i të gjithëve”.

Ju keni theksuar shumë herë se jeni mëkatar, si të burgosurit. Ç’kuptim ka kjo?

“Disa thonë: janë fajtorë. Unë u gjegjem me fjalët e Jezusit: ‘Kush nuk është fajtor, ta flakë gurin e parë’. Të shikojmë brenda shpirtit tonë, të vërejmë mëkatet tona e atëherë zemra do të bëhet më njerëzore”.

Këtë duhet të bëjnë barinjtë? Të jenë në shërbim të të gjithëve?

“Si meshtarë e si ipeshkvij, duhet të jemi gjithnjë në shërbim. E këtë e pata thënë edhe në një nga vizitat në burgje, që e pata bërë të Enjten e parë të Madhe, pas zgjedhjes: “Është detyrë, që më buron nga thelbi i zemrës”.

Sipas Jush, Kisha duhet të takohet kryesisht me hedhurinat?

“Besoj se po. Duhet të shkojë e të bëhet e afërt me të fundmit, me të shtypurit, me të flakurit. Kur jam përballë një të burgosuri, për shembull, e pyes gjithnjë veten: ‘Pse ai po, e unë jo? E meritoj unë, më shumë se ai, që është aty, brenda. Pse ai u rrëzua, e unë jo? Është mister, që më afron pranë tyre’”.

Ungjilli është plot me episode, në të cilat Jezusi bëhet i afërm i atyre, që shoqëria e kohës i shikonte si hedhurina…

“Nëse ia dal vetëm t’ia prek mantelin, do të shpëtoj”- thotë me fe vërtet të thellë, gruaja që vuante nga hemorragjia, ngaqë e ndjente në shpirt se Jezusi mund e do ta shpëtonte. Sipas Ungjillit, ishte grua e përjashtuar nga shoqëria. E pikërisht asaj, Jezusi ia rikthen shëndetin e lirinë, duke e çliruar nga diskriminimet shoqërore e fetare. Ky rast të bën të reflektosh për faktin se Zemra e Krishtit rreh gjithnjë për ta, për të përjashtuarit, siç ishte gruaja, ashtu si perceptohej asokohe”.

Shpesh, kush ndjehet i përjashtuar, turpërohet...

“Kush ndjehet i përjashtuar, si të gërbulurit a të pastrehët,  turpërohet e, si gruaja që humbiste gjak, vepron fshehurazi. Ndërsa Jezusi i ngre përsëri në këmbë, u jep dinjitet. Po ajo që ka më shumë rëndësi, është se Jezusi u jep shpëtimin e plotë. E përfshin jetën e gruas në sferën e dashurisë së Zotit e, njëkohësisht, ia rikthen dinjitetin. Jezusi i tregon, kështu, Kishës, rrugën në të cilën duhet të ecë, për të takuar çdo njeri, që secili të shërohet në korp e në shpirt, e të rifitojë dinjitetin e birit të Zotit”.

Atëhere burgu na sjell një mesazh paqeje e edhe shprese, pavarësisht nga të gjitha….?

“Nganjëherë një farë hipokrizie të shtyn të shikosh në të burgosurit njerëz që gabuan, për të cilët nuk ka rrugë tjetër, veç burgut. Por, e përsëris edhe një herë, të gjithë mund të gabojmë. Të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, kemi gabuar. E hipokrizia na bën të mos mendojmë fare se duhet të ndërrojmë jetë: kemi shumë pak besim në rehabilitimin, në rikthimin në radhët e shoqërisë. Po kështu harrohet se të gjithë jemi mëkatarë e shpesh, edhe të bugosur, pa u kujtuar fare për këtë.  Prej këndej, tregimi me gisht i atij, që gaboi, nuk mund të përdoret si alibi, për të fshehur kundërshtitë tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.