Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Eukaristia

Darka e Mbrame e Rubensit - ANSA

13/04/2017 09:00

Në këtë ditë, në të Enjten e Madhe të Javës së Pashkëve, nuk mund të mos flasim për “Eukaristinë”, të cilën Jezu Krishti e themeloi pikërisht gjatë Darkës së Mbrame me Apostujt, ngjarje që u kujtua sot nga gjithë Kisha Katolike.

Skena u vjen ndër mend të gjithëve. Mbi Jeruzalem po zbriste muzgu. Ndoshta, ishin ditët e para të prillit të vitit ’30. Jezusi ngjitet në katin e sipërm të një ndërtese të qytetit, në “një sallë të madhe me tapete”, që shërbejnë edhe si “divanë”, pasi darka përgatitet në një sofër, rreth së cilës ulen apostujt për ritin tradicional hebraik të Pashkëve, megjithëse nga studimet e mëvonshme mbi kalendarin, duket se solemniteti i Pashkëve kremtohej pak ditë më vonë.  Vërtet, ungjijtë sinoptikë – sipas Mateut, Markut e Lukës – flasin për “ditën e Bukëve të Pambrume, kur duhej të flijohej qengji i Pashkëve”.

Gjithsesi, fjalët që thotë Krishti për bukën e për verën, shkojnë përtej ritit të flijimit të një qengji, i cili ishte një kremtim me zanafillë nomade, i lidhur me shtegtimin veror të bagëtive, shndërruar nga Bibla në festën e çlirimit të Izraelit nga zgjedha e faraonëve. Para bukës së pambrujtur të ritualit judaik, Jezusi deklaron: “Ky është korpi im…”. Para njërës prej katër kupave me verë të atij rituali pohon: “Ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve” (Mt 26,28). Themeloi kështu, Eukaristinë.

Duke iu drejtuar të sapopagëzuarve, shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos në shekullin IV, bën një krahasim ndërmjet manës, që Zoti u dërgoi hebrenjve në shkretëtirë, dhe Eukaristisë, e cila është bukë për amshim.

“Është diçka vërtet e mrekullueshme - shkruan shën Ambrozi – që Zoti bëri të binte mana nga qielli për etërit tanë, që të ushqeheshin përditë me të. Prandaj është thënë: Njeriu hëngri bukën e engjëjve. Por, ata që u ushqyen me atë bukë, gjithsesi, vdiqën të gjithë në shkretëtirë; ndërsa kjo bukë që ti merr sot – i drejtohet shën Ambrozi të pagëzuarit në Krishtin – kjo bukë e gjallë, që zbret nga qielli, të jep thelbin e jetës së amshuar e kushdo që e ha, nuk do të vdesë në amshim. Vërtet, ky është Korpi i Krishtit. Mendo tani, a është më superiore buka e engjëjve, apo mishi e gjaku i Krishtit, që japin jetën?"

Mana vinte nga qielli, ndërsa kjo bukë e ka vendin mbi qiell; mana i përkiste qiellit, kjo tjetra Zotit të qiejve; mana mund të prishej nëse ruhej për të nesërmen, buka e jetës nuk mund të prishet, madje kushdo e merr me përkushtim nuk mund të bjerret. Etërve tanë në shkretëtirë u doli ujë nga shkëmbi; ty, që po merr Pagëzimin, të jepet Gjaku i Krishtit. Uji ta shuan etjen për pak kohë, gjaku të lan për amshim. Judenjtë pinë e kanë akoma etje, ndërsa ti – vazhdon t’i drejtohet të pagëzuarit, shën Ambrozi – kur ta kesh pirë këtë kelk, nuk do të kesh më etje kurrë. Mana ishte imazhi, korpi i Krishtit është realiteti. Nëse ti arrin të shohësh Krishtin në figurën e manës, mendo sa është i madh Sakramenti që po merr, në të cilin shihet vetë Jezusi.

E thotë edhe shën Pali Apostull në Letrën e parë drejtuar Korintasve: “të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti”. E duke admiruar Krishtin në manën, që bie nga qielli – përfundon shën Ambrozi – ke mësuar të njohësh atë, që vlen më shumë; vërtet, drita është më e bukur se errësira, e vërteta më e mirë se imazhi i saj, Korpi i Krijuesit më jetëdhënës se mana, që zbret nga qielli”.

Mana, nënvizon shën Ambrozi, është aty që të na përgatisë për ardhjen e Dikujt tjetër. Engjëjt i përgatisin udhën, në mënyrë që, ashtu si shën Pali shihte edhe tek mana fytyrën e Krishtit, edhe ne të njohim Korpin e Krishtin në bukën që hamë. E uji i shkëmbit që shoqëronte hebrenjtë – për të cilin shën Pali na thotë se ishte Jezusi – është pararendës i verës, Gjakut të Krishtit.

Ndoshta, ç’thamë deri tani nuk është e mjaftueshme për t’u thelluar në misterin e papërshkueshëm të një Zoti, që u bë pak bukë e pak verë, për t’ua dhënë të hanë korpin e gjakun e Tij të gjithë njerëzve, duke u bërë kështu pjesë e jona e brendshme. Në të, në Eukaristinë e marrë si korp e si gjak i Krishtit, qëndron misteri i bashkimit tonë me Zotin e me të gjithë të krishterët, pavarësisht ku ndodhen, pasi ndajmë të njëjtën bukë e të njëjtën verë. Kjo e vetëm kjo na jep mundësinë të vazhdojmë të duam, edhe për ata që s’janë më; të vazhdojmë të marrim Krishtin në zemër, edhe për ata që s’mund ta marrin Eukaristinë, sepse janë të sëmurë e të pamundur; të vazhdojmë të lutemi për ata që nuk ia dalin dot, ose nuk dinë, për të gjithë ata, që nuk e njohin Krishtin. Kjo është forca e Eukaristisë, forcë, që secili prej nesh e ka për amshim.

13/04/2017 09:00