2017-04-12 12:32:00

Papa në audiencën e përgjithshme: kush do, nuk kërkon pushtet


U mbajt, në prag të Triditshit të Pashkëve, audienca e përgjithshme e Papës Françesku Tema e katekizmit ishte: “Shpresa e botës, është shpresa e Kryqit”.

Shpresa lind nga Kryqi

Të dielën e kaluar kujtuam hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, rrethuar nga brohoritjet festive të dishepujve e të turmës së madhe. Këta njerëz - kujtoi Papa - kishin mbështetur shumë shpresa në Jezusin: prisnin prej Tij mrekulli e shenja të mëdha, shprehje të dukshme force e deri çlirimin nga armiqtë pushtues. E kush prej tyre do ta kishte besuar se vetëm pak më vonë Jezusi do të poshtërohej, do të dënohej e do të mbërthehej në kryq - pohoi Françesku - duke theksuar në vijim se shpresat tokësore të këtyre njerëzve u shembën, para kryqit! Po ne – nënvizoi Papa - besojmë se pikërisht në të Kryqëzuarin shpresa jonë rilind. Shpresë, që ndryshon nga ajo e botës. Po për çfarë shprese bëhet fjalë - pyeti më pas - për t’i dhënë menjëherë përgjigje kësaj pyetjeje.

Mund të na ndihmojë ta kuptojmë çka tha Jezusi, pikërisht pasi kishte hyrë në Jeruzalem: “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt! (Gjn 12,24): Ta përfytyrojmë një kokërr a një farë të vogël, që bie përdhe. Nëse mbetet ashtu e mbyllur, si ra, e nuk copëtohet, kalbet, por nëse coptohet, nëse hapet, mungullon, bëhet filiz e bimë e jep fryt. Rrit kallëzën:

“Jezusi solli në botë një shpresë të re, sipas mënyrës së farës; u bë i vogël, si kokërr gruri, e la lumninë e tij qiellore, për të ardhur mes nesh: ‘ra në tokë’. Po nuk mjaftonte akoma: për të dhënë fryt, Jezusi e jetoi dashurinë deri në fund të fundit, duke e lënë vdekjen ta copëtonte, si farën e rënë përdhe”.

Pikërisht aty, në pikën kulmore të përuljes së tij - njëkohësisht pika më e lartë e dashurisë - mungulloi shpresa. E mungulloi përmes forcës së dashurisë: sepse dashuri, që beson gjithçka, gjithçka duron”(1 Kor 13,7). Dashuria, jeta e Zotit, e përtriu gjithçka preku. Kështu, për Pashkë, duke e marrë mbi vete, Jezusi e shndërroi mëkatin tonë në falje; vdekjen në ringjallje, frikën në besim. Ja pra pse atje, mbi Kryq, lindi e rilind gjithnjë shpresa jonë: ja pse me Jezusin çdo terrinë e jona mund të shndërrohet në dritë; çdo disfatë, në fitore; çdo zhgënjm, në shpresë.

Nuk shuhet kurrë etja e atij, që dëshiron pasurinë

Kur zgjedhim shpresën e Jezusit - vijoi Françesku - pak nga pak zbulojmë se mënyra për të jetuar si fitimtarë, është ajo e farës, e dashurisë së përvuajtur. Nuk ka udhë tjetër për të fituar mbi të keqen e për t’i dhënë shpresë botës. Po ju mund të më thoni. “Jo, kjo është logjikë humbëse”. Duket kështu, sepse kush dashuron e humb pushtetin; kush dhuron, e humb diçka. Logjika e farës që vdes, e dashurisë së përvuajtur, është udha e Zotit, e vetëm kjo jep fryt. E shikojmë në veten tonë - theksoi Ati i Shenjtë. - Dëshira për të pasur na shtyn të dëshirojmë më shumë, gjithnjë më shumë; sapo ta kemi shtënë në dorë një gjë, menjëherë duam një tjetër, më të madhe, e nuk mbetemi kurrë të kënaqur. Kush është llupës, nuk ngopet kurrë. E Jezusi na e thotë këtë krejt qartë: “Kush e do jetën e vet, e humbet” (Gjn 12,25), domethënë: kush e do gjënë e vet e jeton për interesat e veta, fryhet vetëm me vetveten e humbet.

Dashuria e vërtetë kalon përmes kryqit, por caku i saj është lumnia

Ndërsa kush pranon, është i gatshëm, shërben, jeton sipas mënyrës së Zotit: e është fitimtar, shpëton vetveten e të tjerët; bëhet farë shprese për botën:

“Natyrisht kjo dashuri e vërtetë kalon përmes Kryqit; flijimit, si kaloi për Jezusin. Kryqi është shtegu i detyrueshëm, por jo caku: caku është lavdia, siç na e tregojnë Pashkët”.

Dashuria e nënave

E këtu na vjen në ndihmë një figurë tjetër mahnitëse, që Jezusi ua la në kujtesë dishepujve të vet gjatë Darkës së Mbrame. U tha:

“Gruaja, kur lind, pushtohet nga dhimbjet, sepse ka arritur ora e saj, por kur e nxjerr ferishten në dritë, nuk e kujton më vuajtjen, nga gëzimi se erdhi në botë një njeri” (Gjn 16,21).

Ja: të  dhurosh jetë, jo të marrësh, kjo të mbush me gëzim; dashuria që jep jetë, i jep kuptim edhe dhimbjes. Dashuria është motori, që e bën të shkojë përpara shpresën tonë.

Ta kundrojmë Krishtin e kryqëzuar

Të dashur vëllezër e motra - përfundoi Papa - në këto ditë ta lëmë veten të na pushtojë misteri i Jezusit që, si kokrra grurit, duke vdekur, jep jetë: “Eshtë Ai, fara e shpresës sonë. Ta kundrojmë të Kryqëzuarin, gurrë shprese. Pak nga pak do të kuptojmë se të shpresosh me Jezusin, do të thotë të mësohesh për ta shikuar që tani bimën e farës, Pashkët - në kryq; jetën - në vdekje!”.

Do të na bëjë mirë të ndalohemi para të Kryqëzuarit, ta shikojmë e t’i themi: “Me ty asgjë nuk humbas. Me ty mund të shpresoj gjithnjë. Ti je shpresa ime!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.