2017-04-11 15:41:00

Raporti Amnesty: në vitin 2016, më pak ekzekutime në botë


Hapa të vegjël përpara në botë drejt zhdukjes së dënimit me vdekje. Sipas Raportit 2016 të Amnesty International, që u bë i ditur sot, vitin e kaluar ka pasur 1031 ekzekutime me vdekje, në ulje, në krahasim me 1634 dënimet e vitit 2015. Megjithatë, dënimi me vdekje mbetet një plagë, për zhdukjen e së cilës bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet më shumë. Folëm me zëdhënësin e Amnesty International për Italinë, Riccardo Noury:

Çdo vit, përshkruajmë një gjendje, që sigurisht përmirësohet, sepse, tashmë, dënimi me vdekje zbatohet në pak vende të botës. Në vitin 2016, 87% e ekzekutimeve, për të cilat ka dijeni Amnesty, është zbatuar në pesë vende: Kina, Irani, Arabia Saudite, Iraku dhe Pakistani. Ndërkaq, Benini dhe Nauru e kanë hequr dënimin me vdekje për të gjitha krimet, pikërisht vitin e kaluar; Guinea e ka pezulluar për krimet ordinere, por deri më sot, janë 142, vendet që e kanë hequr përfundimisht, sepse e zbatojnë vetëm në raste të veçanta, si në kohë lufte, ose sepse, praktikisht nuk e përdorin më. Edhe në vendet, që vijojnë ta zbatojnë dënimin me vdekje ka prirje inkurajuese. Në Iran, përdorimi i tij është pakësuar me 42%, në Pakistan, me 73%; në SHBA-të nuk regjistrohej një numër kaq i ulët që nga viti 1991.

 A ka vende që mund ta vendosin sërish dënimin me vdekje, si për shembull, Turqia?

Turqia na shqetëson shumë, ashtu si edhe Filipinet. Sigurisht, nëse Turqia do të vendoste ta bënte këtë hap mbrapa, në Evropë, përveç Biellorusisë, do të kemi edhe një vend tjetër, ku ekziston dënimi me vdekje. Institucionet evropiane duhet të ushtrojnë më tepër presion, që kjo të mos ndodhë. Studimet kanë treguar qartë tashmë se dënimi me vdekje nuk shërben si frikësim për të mos kryer krime. Mund të japë pikë në ndonjë fushatë zgjedhore, por nuk jep asnjë rezultat në përmirësimin e sigurisë publike.








All the contents on this site are copyrighted ©.