2017-04-11 09:00:00

Mimmo Muolo: Benedikti XVI, Papa i guximit dhe i dialogut


“Papa i guximit”: është ky titulli i librit të fundit të vatikanistit të gazetës kishtare italiane “Avvenire”, Mimmo Muolo. I kushtohet Benediktit XVI, me rastin e ditëlindjes së tij të 90-të, që do ta festojë më 16 prill, ditën e Pashkëve. Në parathënien e librit, kryeipeshkvi Rino Fisichella nënvizon se Papa i nderit “vuri para nesh dramën e jetës së tij si njeri e si besimtar, si profesor e si Papë” dhe “pyetjet që zgjoi, nuk mbetën pa përgjigje”. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, Mimmo Muolo ndalet në titullin e librit, duke nënvizuar guximin e Papës Benedikti:

Papë i guximit, pasi e kanë të qartë të gjithë se vendimi i tij për t’u tërhequr është pa precedent nga pikpamja historike, prandaj kërkon guxim. E pastaj, sepse, pavarësisht nga sa është thënë e shkruar për të, ka qenë Papë, i cili qëndroi aty, përballoi një stuhi pas tjetrës, shpesh shkaktuar nga mas mediat, që e paragjykonin. Të kujtojmë se pati thënë: “Para ujqërve, bariu i vërtetë nuk largohet”. Unë mendoj se Benedikti XVI bëri vërtet kështu, pra, nuk iku, e kur ujrat u qetësuan, kur pa se rreziku i çastit nuk ekzistonte më, pati guximin të thoshte: “unë nuk jam bariu i përshtatshëm për ta mbrojtur këtë grigjë: duhet t’ia kaloj detyrën një tjetri”.

 Në libër, shkruani se Benedikti XVI e ka përqendruar vëmendjen në gjërat thelbësore të fesë…

“Papë i thelbësores”, sepse ka dy boshte të mëdhenj, që e përshkojnë jetën e tij dhe në veçanti, papninë e tij. Së pari, çështja e fesë. Ai e ngriti me forcë në Kishë këtë çështje: nëse nuk ka fe, çdo gjë tjetër bëhet e panevojshme. Përveç kësaj – e ky është boshti tjetër – i propozoi botës temën e dialogut me krishterimin: ftesa e tij për t’i zgjeruar horizontet e arsyes, ftesa për dialogun me jo besimtarët, Oborri i jo besimtarëve, janë të gjitha nisma në këtë drejtim. Edhe këtu, u perceptua gabim nga mediat. Papa i vërtetë, që kërkonte gjithnjë dialogun si njeri i kulturës, i dashuruar me Ungjillin e me Jezu Krishtin dhe, Papa, që na paraqitej si kundërshtar i dialogut: mendoj se në këtë pikë, Benedikti XVI ka akoma shumë për të na mësuar. E magjisteri i tij po kalon edhe në papninë e Françeskut, i cili, natyrisht e interpreton sipas stilit dhe normave të tij.

Imzot Fisichella, në parathënie, thekson se pyetjet e ngritura nga Papa Ratzinger nuk kanë mbetur pa përgjigje. Ndoshta tani e kuptojmë më mirë Benediktin XVI?

Unë mendoj se po. Akti i dorëheqjes sikur e zhveshi nga ajo rrobë me paragjykime, për të cilën folëm. Na bëri të shikojmë Joseph Ratzingerin e vërtetë e Joseph Ratzingeri i vërtetë është ai, që i thotë Kishës: “Feja është e rëndësishme: pa fe, gjithçka tjetër bie” – e Papa Françesku do të thoshte se shndërrohet në “një ojq për t’u mëshiruar”. Joseph Ratzingeri i vërtetë është përpjekur vazhdimisht të hyjë në dialog me burrat e gratë e kohës së vet. Është e njëjta gjë, që po bën – e përsëris, me një stil të ndryshëm nga pikpamja njerëzore – Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.