2017-04-10 14:51:00

Papa Françesku: kujdes nga keqpërdorimi i teknologjive


Kujdes nga keqpërdorimi i bioteknologjive: janë në shërbim të një jete dinjitoze për të gjithë e kërkojnë që ndërmjet instancave shkencore, ekonomike dhe etike të ketë harmoni. Këto fjalë ua drejtoi sot paradite Papa rreth 30 anëtarëve të Komitetit italian për Biosigurinë, Bioteknologjitë dhe Shkencat e Jetës, të cilët i priti në audiencë. I themeluar 25 vjet më parë pranë Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Komiteti ka për detyrë ta mbështesë qeverinë italiane në marrjen e vendimeve me karakter shkencor, ekonomik e shoqëror, në këto drejtime.

Njeriu u thirr ta kultivojë e ta ruajë kopshtin e botës, siç  na e rrëfen Libri i Zanafillës. Në fjalimin drejtuar Komitetit Kombëtar të Biosigurisë, Bioteknologjive dhe Shkencave të Jetës, Papa Françesku kujtoi, në radhë parë, parimin e përgjegjësisë, bazë e pamohueshme e veprimtarisë së njeriut, i cili duhet të përgjigjet për veprimet e tij edhe përpara Zotit:

“Detyra juaj nuk është vetëm të nxisni zhvillimin e harmonishëm e të plotë  shkencor dhe teknologjik, që ka të bëjë me proceset biologjike të jetës bimore, shtazore e njerëzore: juve ju kërkohet edhe të parashikoni e të parandaloni pasojat negative, që mund të shkaktojë keqpërdorimi i njohurive dhe i aftësive të manipulimit të jetës”.

Rreziku i keqpërdorimit të teknologjive

Shkencëtari është i thirrur të marrë vendime me përgjegjësi lidhur me hapat që duhen bërë e që nuk duhen bërë e të dijë edhe të ndalohet me kohë, kur duhet zgjedhur një rrugë tjetër:

“Teknologjitë, edhe më shumë se shkencat, vënë në dorën e njeriut një pushtet të pamasë e gjithnjë në rritje. Rreziku i madh është kur qytetarët, e nganjëherë edhe ata, të cilët i përfaqësojnë dhe i drejtojnë, nuk e kuptojnë plotësisht seriozitetin e sfidave dhe ndërlikimin e problemeve, që duhen zgjidhur, si dhe rrezikun e keqpërdorimit të pushtetit që shkenca dhe  teknologjitë e jetës i vënë në duart tona”.

Kujdes nga gërshetimi i pushtetit teknologjik me atë ekonomik

“Kur, pastaj, gërshetimi i pushtetit teknologjik me atë ekonomik bëhet më i ngushtë, atëhere interesat e caktuara mund të kushtëzojnë edhe stilet e jetës, në drejtim të përfitimit të disa grupeve industriale e tregtare e në dëm të popullsive të varfra - vërejti Papa - Ndërsa për të siguruar bashkëpunimin e harmonishëm ndërmjet instancave shkencore, prodhuese, etike e politike e për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, që respekton shtëpinë e përbashkët, kërkohet ballafaqimi i qëndrimeve të ndryshme, me  bindjen se dëshmia që i bëhet së vërtetës dhe së mirës së përbashkët nga njerëzit e shkencës, kontribuon në pjekurinë e ndërgjegjes civile.

Teknologjitë të jenë në shërbim të jetës

Në përfundim të këtij reflektimi, më lejoni - tha Papa - të kujtoj se shkencat dhe teknologjitë u bënë për njeriun e për botën - e jo bota për shkencat e teknologjitë. Ato janë në shërbim të një jete dinjitoze e të shëndetshme për të gjithë, në të sotmen e në të ardhmen, dhe e bëjnë shtëpinë tonë të përbashkët më të banueshme, më solidare, më të mbrojtur e më të ruajtur”.

Françesku e inkurajoi Komitetin t’i mbështesë proceset e mirëkuptimit ndërmjet shkencëtarëve, sipërmarrësve dhe institucioneve, për të sensibilizuar opininin publik mbi problemet, që lindin nga zhvillimi i bioteknologjive.








All the contents on this site are copyrighted ©.