2017-04-09 10:59:00

Papa Françesku të rinjve: mos kini frikë t’i thoni po Krishtit!


Kisha dëshiron t’i dëgjojë gjithë të rinjtë, pa përjashtuar askënd. Këtë pohoi Papa në Mbrëmësoren e lutjes, kremtuar në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, me rastin e Ditës së 32-të Botërore të Rinisë. Ishte hapi i parë i udhës për përgatitjen e Sinodit - në program, tetorin e vitit të ardhshëm - i cili, me dëshirën e vetë Papës, do t’u kushtohet pikërisht të rinjve, dëshmitë e të cilëve i paraprinë këtij kremtimi.

Ishte një Mbrëmësore lutjeje me të rinjtë, në prag të DBR-së dioqezane,  nën vështrimin e Marisë “Salus Populi Romani”(Shpëtimi i Popujve Romakë), realizim konkret i planit të Zotit. Në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, shtëpia më e lashtë e Zojës në qytetin e Romës e në Perëndim, të rinjtë e Romës dhe të Lacios u lutën së bashku, dhanë dëshmitë e tyre e, shpirtërisht të bashkuar me bashkëmoshatarët e mbarë botës, nisën udhën, që do t’i çojë në DBR-në e Panamasë 2019!

Në Sinodin e ardhshëm, asnjë i ri nuk duhet të ndjehet i përjashtuar

I prekur nga dy dëshmitë: njëra e rregulltares Maria Lisa, e cila foli për gëzimin që buron nga jeta kushtuar Krishtit, e tjetra e Pompeut, i ri, që përjetoi tragjedinë e tërmetit, Papa Françesku e la mënjanë tekstin e përgatitur për homelinë dhe foli lirisht, duke vënë menjëherë theksin mbi rëndësinë e Sinodit të ardhshëm kushtuar të rinjve, që është për udhë nga DBR e Krakovit - tek ajo e Panamasë:

“Nga Krakovi, në Panama, në mes, Sinodi. Një Sinod, nga i cili asnjë i ri nuk duhet ta ndjejë veten të përjashtuar. Po, a e bëjmë Sinodin për të rinjtë katolikë… për të rinjtë që i përkasin shoqatave katolike, kështu është më e fortë?…Jo! Sinodi është Sinod për e i gjithë të rinjve. Të rinjtë janë protagonistë. ‘Edhe të rinjtë agnostikë?’ - Po! - ‘Edhe ata, që kanë fe të  zbehur?’. Po! ‘Edhe ata, që janë larg nga Kisha?’. Po! ‘Edhe të rinjtë ateistë?’. Po! Po! Ky është Sinodi i të rinjve e ne të gjithë duam t’i dëgjojmë. Secili i ri e ka diçka për t’ua thënë të tjerëve, e ka diçka për t’ua thënë të rriturve, priftërinjve, rregulltarëve, ipeshkvijve, Papës. Të gjithë kemi nevojë t’ju dëgjojmë!”.

Shumë tepër të rinj e ndjejnë veten të përjashtuar, nuk mund ta tolerojmë më

Papa pohoi, në vijim, se sot shumë të rinj kalojnë çaste të vështira në jetë. Të rinj, që nuk mund të vihen për udhë, sepse të përjashtuar nga shoqëria:

“Nuk kanë punë, nuk kanë ideal për ta ndjekur, mungon edukimi, mungon integrimi… shumë të rinj duhet të ikin, të emigrojnë në troje të tjera… të rinjtë, sot… është e rëndë ta thuash, por shpesh janë material për t’u hedhur, hedhurinë. E këtë ne nuk mund ta tolerojmë, e ne duhet ta bëjmë këtë Sinod për të thënë ‘ne, të rinjtë, jemi këtu, për udhë!’. E gjithë  këtë e vërtetuan edhe dëshmitë, që dëgjuam".

Një mision për të rinjtë: të flasin me të moshuarit

Pasi pohoi edhe një herë rëndësinë e Sinodit dhe të DBR-së së Panamasë, të dyja, ngjarje nën mbrojtjen e Marisë, Papa u dorëzoi të rinjve të sotëm një detyrë: të flasin me gjyshat:

 “Kjo është detyrë, që jua jap në emër të Kishës: të flisni me të moshuarit, ‘Po është e mërzitshme, thonë të njëjtën gjë… !’. ‘Jo! Dëgjoji pleqtë! Fol me ta, pyeti për gjërat që nuk i di. Bëji të ëndërrojnë e merri ëndrrat e tyre  për të endur me ta ëndrrat tua, për të profetizuar e për ta bërë konkrete profecinë e tyre. Ky është misioni juaj sot, ky, misioni, që ju kërkon sot Kisha'”.

Në Panama, Papa do t’ju pyesë nëse folët me të moshuarit

Papa e përfundoi homelinë duke e zgjeruar horizontin deri në Panama, ku - nënvizoi - do të jenë protagonistë jo vetëm të rinjtë, por edhe pleqtë, në dialog me ta:

“Nuk e di nëse do të jem unë, por do të jetë Papa: Papa, në Panama, do t’ju bëjë një pyetje: ‘A folët me të moshuarit?’. ‘Folët me pleqtë?’. A i morët ëndrrat e të moshuarve, për t’i shndërruar në profeci konkrete? Kjo është detyra juaj. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mua e të përgatitemi të gjithë bashkë për Sinodin e për Panamanë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.