2017-04-09 14:20:00

Papa lutet për Egjiptin: sulme gjakatare kundër kishave kopte


Ngjyrat e ndezura të së Dielës së Larit, që Papa e kremtoi në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u errësuan nga lajmi i sulmeve kundër të krishterëve të Egjiptit, që shkaktuan së paku 25 të vdekur dhe rreth 50 të plagosur. Në përfundim të kremtimit, Papa u lut për viktimat dhe i shprehu afërsinë e tij Egjiptit e Kishës kopte për këtë ngjarje të hidhur. T’i dëgjojmë fjalët e Papës:

“Vëllait tim të dashur, Shenjtërisë së Tij Papës Tawadros II, Kishës kopte dhe mbarë kombit të dashur egjiptian, i shpreh ngushëllimin tim më të thellë, lutem për të vdekurit e të plagosurit, jam pranë familjarëve dhe mbarë bashkësisë. Zoti e shndërroftë zemrën e njerëzve, që mbjellin terror, dhunë dhe vdekje, e edhe zemrën e atyre, që merren me trafik armësh”.

Është ende i përkohshëm bilanci i atentatit të paradites së sotme kundër Kishës së Shën Gjergjit, në Tanta, qytet egjiptian në veri të Kairos. Deri  tani autoritetet lokale flasin për 25 të vdekur e 42 të plagosur. Sipas hetimeve të para, një bombë - ndoshta e komanduar nga larg - shpërtheu në ndërtesën kishtare, ku rreth 2 mijë besimtarë po merrnin pjesë në kremtimin e së Dielës së Larit, ndërsa forcat e rendit ishin ende në punë për të verifikuar praninë e mundshme të bombave të tjera në afërsi të kishës. Është sulm i ri, që i bëhet, pas sa e sa të tjerëve, bashkësisë së krishterë, në një vend me 10 milionë besimtarë, që përfaqësojnë 10% të popullsisë e ku Papa do të jetë për vizitë më 28 e 29  prill.

Menjëherë pas fjalëve të Papës, arriti lajmi për një sulm tjetër, në Kishën e Shën Markut  të Aleksandrisë, me shumë të vrarë e të plagosur.

Kujtojmë se në lutjen e Papës ishin edhe 4 të vdekurit e 15 të plagosurit e së premtes së kaluar në Stokholm të Suedisë, ku një kamion u lëshua mbi turmën, me pasoja mortore. Për këtë kob të ri u arrestua dje një qytetar uzbek, 39 vjeç, i njohur  nga forcat e rendit. Françesku iu lut Zotit t’i shndërrojë zemrat e atyre, që mbjellin dhunë e vdekje:

“Krishtit, që sot hyn në udhën e mundimeve e Zojës së Bekuar t’ia besojmë viktimat e atentatit terroristik, që ndodhi të premten e kaluar, në Stokholm, si dhe të gjithë ata, që kalojnë ende prova të vështira nga lufta, kob i njerëzimit”. 

Në përfundim të kremtimit, Françesku i përshëndeti përzemërsisht gjithë  të pranishmit, posaçërisht ata, që morën pjesë në takimin ndërkombëtar kushtuar asamblesë sinodale, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, në bashkëpunim me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve. Në këtë përshëndetje përfshiu edhe gjithë të rinjtë që sot, rreth ipeshkvijve të tyre, kremtuan Ditën e Rinisë në mbarë dioqezat e botës. Është një etapë tjetër e shtegtimit, nisur nga Shën Gjon Pali II - kujtoi Françesku -  që vitin e kaluar na mblodhi në Krakov e tani na thërret në Panama, në janar 2019.








All the contents on this site are copyrighted ©.