Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Ipeshkvi i Stokholmit: akt i tmerrshëm terrorizmi

Pamje e vendit të aksidentit në Stokholm - ANSA

09/04/2017 16:11

“Stokholmi pësoi një sulm terrorist të tmerrshëm, që i tronditi të gjithë. Na tronditi e na shtangu fakti se dhuna e pakuptimtë dhe e pashpirt erdhi kaq afër nesh”. Kështu shkruan ipeshkvi katolik i Stokholmit, imzot Anders Arborelius, në një mesazh, rimarrë nga agjencia Sir, në të cilin kujtohet çka ndodhi të premten e kaluar në vendin skandinav, ku një kamion u sul mbi turmën, duke shkelur kalimtarët në pedonale e duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër vetëve. Kryeministri suedez, Sefan Lofven, deklaroi se ishte  “sulm terrorist”.

Imzot Arborelius: jetojmë në botën e së keqes

“Gjithnjë më shumë shikojmë - shton ipeshkvi i Stokholmit – se jetojmë në botën e së keqes e se ne, qeniet njerëzore, jemi vërtet krejt të brishta. Sot jemi, nesër s’jemi!. Pas kësaj, që ndodhi, do ta kemi shumë më pranë Kryqin e Krishtit. Duhet ta bashkojmë vuajtjen tonë këtu, në vendin tonë, me mundimet e të Kryqëzuarit për shpëtimin e botës. Vetëm Jezusi - kujton imzot Arborelius - mund të na japë besim e shpresë në vështirësi e mundime, sepse me Ngjalljen e Tij e mundi mëkatin dhe pushtetin e vdekjes mbi jetën. Kryqi të çon gjithnjë drejt fitores së Pashkëve”.

Këshilli ndërfetar i Stokholimit: pamë fytyrën e së keqes

Këshilli ndërfetar i Suedisë nënvizon, në një notë, se “sulmi i Stokholmit tregoi fytyrën burracake e të dëshpëruar të së keqes. Sulme të kësaj natyre - shkruajnë së bashku përfaqësuesit e bashkësisë budiste, të Këshillit islamik, të atij hebraik e të Këshillit të Kishave - shestojnë plane për ta shkatërruar shoqërinë tonë e për ta minuar larminë e etnive, kulturave, feve të shoqërisë suedeze. Njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare - lexojmë më tej në mesazhin e rimarrë nga agjencia Sir - mendojnë në mënyra të ndryshme, por janë të bashkuar në kërkimin e së mirës, në një botë ku sapo e pamë, të tmerruar, fytyrën e së keqes".   

09/04/2017 16:11