Lutje e frymëzuar nga Liturgjia e së Dielës së Larit: "Një bisk ulliri…"
Një bisk ulliri…
Një bisk ulliri
merr frymë si të ishte në degë
sot n’ duart tona.
Për shans s’e morëm, as për stoli.
Me të Ti na kujton
se je krejt pranë…
Se po troket në porta të zemrës sonë.
E ne të presim me shpirtin
gatitë për festë:
“Bekuar qofsh, o Bir i Davidit!
Bekuar Ti, Bir Zoti,
Njeri si ne.
Bekuar Ti, Shëlbuesi ynë
e Pashka jonë!
Këtë rrem ulliri
që e valëvisim në erë,
po e çojmë në arë të jetës,
si Korpin tënd të shenjtë!
Që bota të mos jetë më
shtruar me gjemba.
Njerëzimi të bëhet ullishtë,
e të blerojë gjithë motin
e fryte të pjekë prej nga pikojnë
pikat e vajit të paqes…
Një bisk ulliri
merr frymë si të ishte në degë
sot në duart tona.
Në botë përhap aromën
e virgjër të dashurisë
e ngjyrën e ditëve të blerta.
Me ty, o Zot dhe prangat
nga duart bien vetvetiu!
All the contents on this site are copyrighted ©. |