Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Siri: vendet e rajonit reagojnë ndaj sulmit të SHBA-ve

Bombardimi amerikan - AP

07/04/2017 17:48

Siç parashikohej, vendet e Lindjes së Mesme reagojnë njëri ndryshe nga tjetri për sulmin amerikan kundër Sirisë, pas përdorimit të gazit nervin në Khan Sheikhoun.

Izraeli: “Si me fjalë, ashtu edhe me fakte, presidenti Trump dërgoi një mesazh të fortë e të qartë: përdorimi dhe përhapja e armëve kimike nuk do të tolerohen”, pohon një notë e zyrës së kryeministrit, Benjamin Netanyahu.

Irani: Për Teheranin, aleat i Damaskut, ndërhyrja amerikane është “e rrezikshme, shkatërruese dhe dhunon të drejtën ndërkombëtare”. “Këto masa do të përforcojnë terroristët në Siri dhe do ta ndërlikojnë situatën në vend e në rajon”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Bahram Qassemi.

Arabia Saudite: Riadi, rival i Teheranit në rajon, dha “mbështetjen e tij të plotë për operacionet amerikane kundër objektivave ushtarake në Siri, që janë përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike nga ana e regjimit, kundër civilëve të pafajshëm”.

Turqia: Ankaraja, që mbështet rebelët “e moderuar” të opozitës së armatosur, e priti “pozitivisht” ndërhyrjen e SHBA-ve, duke pohuar se ishte informuar që më parë. Zëdhënësi i presidentit, Ibrahim Kalin, nënvizoi se “për të shmangur përsëritjen e masakrave të tilla, është e nevojshme të krijohet sa më shpejt një zonë ndalim-fluturimi dhe zona të tjera sigurie në Siri”. Ministri i jashtëm, Mevlut Cavusoglu, theksoi “nevojën për ta hedhur poshtë sa më shpejt këtë regjim”. “Nuk duam të dëgjojmë vetëm fjalë, por duam të shohim vepra e, në këtë kuadër, sulmi i SHBA-ve kundër bazës ushtarake siriane është kuptimplotë”, tha, nga ana e tij, zv.kryeministri Numan Kurtulmus, duke uruar që ky operacion të kontribuojë në fundin e luftës e në ndalimin e “veprimeve të tjera barbare” nga ana e regjimit sirian.

07/04/2017 17:48