Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Në të Dielën Larit Kisha na fton për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë

Java e Madhe e Pashkeve te Jezu Krishtit

07/04/2017 19:28

Me procesionin dhe bekimin e palmave e të degëve të ullinjve, këtë të diele të Larit, Kisha katolike nis ritet e së Javës së Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, kulm i mbarë vitit liturgjik. Solemniteti i Dielës së Larit, prej vitesh, përkon edhe me Ditën Botërore të Rinisë, që sivjet kremtohet në nivelin dioqezan.

Në Meshën e Dielës së Larit e të Mundimeve të Zotit, Kisha na kujton rrugën e Jezusit drejt Kryqit, që nga hyrja e Tij në Jeruzalem, rrethuar nga turma brohoritësh e deri në kryqëzimin e Tij mbi Kryq.

Dëgjoje këtu programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të Dielës së Larit, viti ‘A’

Mesazhi nga Liturgjia e Shenjtë e kësaj se Diele na kujton hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, nënvizoi misterin e Kryqit, shpjegon se dhuratat e Krishtit janë varfëria, paqja e universaliteti dhe bënë thirrje për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë.

E në përkujtim të asaj ngjarje shpëtimprurëse të hyrjes së Jezusit në Jerusalem e të pritjes së hareshme nga turma e popullit, Kisha i ftoi besimtarët të heqin dorë nga mendjemadhësia, në se duan ta njohin vërtetë Hyjin. Jezusi nuk vjen me shpatën e revolucionarit, por me dashurinë e atij që di të dojë aq shumë njerëzimin, sa të japë edhe jetën. Hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pritet me brohoritjet e turmës që përshëndetnin Birin e Davidit.

Zoti arrin në tempull, po pikërisht atje, ku duhet të ishte hapësira e takimit të Hyjit me njeriun, Ai gjen tregtarët e bagëtive e kambistët, që në Tempull ata interesoheshin e shikonin hesapet e tyre në vend të lutjes e të nderimit të Zotit. Është tremja e Tempullit e caktuar për paganët. Hyji i Izraelit, Hyji i të gjithë njerëzve priste që edhe ata t’i luteshin, ta kërkonin, ta thërrisnin. Po ata e kanë mendjen te fitimi, i njohur ligjërisht nga autoritetet kompetente të kohës, që merrnin pjesën e tyre nga xhepi i tregtarëve. Tregtarët vepronin drejtë, sipas rendit të padrejtë e të korruptuar në fuqi. 

Po nuk mund të mos pyesim se e gjithë kjo duhet të na bëjë edhe ne, të krishterëve, të mendojmë: a është feja jonë aq e pastër, sa duke u nisur prej saj, edhe ‘paganët’, njerëzit që sot janë në kërkim të Zotit e bëjnë një mori pyetjesh, të shikojnë në të dritën e të vetmit Hyj e të kthehen edhe ata në adhurues të Tij? A jemi të vetëdijshëm se etja për fitim e idhujtaria, prek edhe zemrën tonë e mënyrën tonë të jetesës? Thua nuk lejojmë, në mënyra të ndryshme, të na depërtojnë idhujt në botën e zemrës e të fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lemë Zotin të na pastrojë vazhdimisht, duke na ndihmuar ta flakim tutje nga vetja e nga Kisha gjithçka është në kundërshtim me të?.

Duke pastruar tempullin, Jezusi kumton se ka ardhur çasti, në të cilin adhuruesit e vërtetë, do ta adhurojnë Atin Qiellor në shpirt e vërtetësi. Ka marrë fund koha kur njerëzit flijonin kafshë para Hyjit. Vendin e flijimeve e të mblatave ushqimore, e zë korpi i Krishtit, e zë pra ai Vetë. Vetëm dashuria deri në fund të fundit, vetëm dashuria që i dhurohet plotësisht Hyjit për njerëzit, është kulti i vërtetë, është flijimi i vërtetë! Të adhurosh në shpirt e në vërtetësi, do të thotë të adhurosh në bashkim me Atë, që është e vërteta; të adhurosh në bashkim me Korpin e tij, me të cilin na bën një Shpirti Shenjt.

Njerëzit e shndërruan tempullin në shpellë hajdutësh. Por ashtu si gjithnjë, duke nisur nga rënia e Adamit, dështimi i njerëzve shndërrohet në rast impenjimi edhe më të madh nga ana e Hyjit për t’i shpëtuar. Kështu Jezusi, i akuzuar se dëshiron ta shembë tempullin, po në atë vend, shëron të verbër e të çalë.

Ai nuk vjen si shkatërrimtar; nuk vjen me shpatën e revolucionarit. Vjen me dhuratën e shërimit. U kushtohet atyre që, për shkak të gjymtimeve, lodhen nga jeta e flaken jashtë radhëve të shoqërisë. Jezusi u tregon se Hyji i do, se pushteti i tij është pushtet i dashurisë. E na tregon edhe ne se cili është kulti i drejtë i Hyjit: është shërimi, shërbimi, mirësia që e rikthen njeriun në jetë.

Ndërmjet atyre që e brohorasin Jezusin si birin e Davidit, ka edhe fëmijë. E Jezusi u pati thënë dishepujve të vet se për të hyrë në mbretërinë e Hyjit, duhet të ribëheshin si fëmijët . Ai vetë, që rrok mbarë botën, u bë i vogël për të na shpëtuar, për të na dhënë dorën, për të na prirë në rrugën që çon drejt Hyjit.

Për ta njohur Hyjin, duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia që na verbon, që na shtyn ta shohim Hyjin si të ishte konkurrenti ynë. Për të takuar Zotin, duhet të bëhemi të aftë të shikojmë jo me sytë e ballit, por me sytë e zemrës. Duhet të mësojmë për ta parë gjithçka me zemër rinore, që s’ njeh paragjykime e nuk verbohet nga interesat. Kështu, në të vegjlit, që e pranojnë Zotin me zemër të lirë e të hapur, Kisha shikon figurën e besimtarëve të të gjitha kohërave, shikon figurën e vet.

Prandaj Kisha i lartoi Hyjit lutjen së bashku me të rinjtë e botës mbarë, të shkojmë drejt takimit me Jezusin. Ta lemë të na prijë drejt Hyjit, për të mësuar nga Hyji vetë si të bëhemi njerëz të vërtetë. Me Të e falënderojmë Hyjin, sepse me Jezusin, birin e Davidit, na dhuroi një hapësirë paqeje e pajtimi, që rrok mbarë botën. Ta lusim të bëhemi edhe ne, me Të e duke u nisur nga Ai, kasnecë të paqes së tij, që në shpirtin tonë e kudo rreth nesh, të rritet Mbretëria e Tij.

07/04/2017 19:28