2017-04-07 14:52:00

Caritas e Pax Christi: 12 prill, Dita e lutjes për Sirinë


Caritas e Pax Christi propozojnë një ditë agjërimi e lutjeje kushtuar Sirisë, për t’u kremtuar të mërkurën, më 12 prill, në prag të triditshit të Pashkëve. Do të jetë Ditë për të mos i harruar, por për t’i jetuar mundimet dhe kryqin e një mori njerëzish të pafajshëm, në misterin e Mundimeve të Krishtit e në dritën e shpresës së Pashkëve. E për të shmangur - duke iu përgjigjur nxitjes së përsëritur të Papës Françesku - rrezikun që edhe në zemrën tonë të shkruhet: “po mua, ç’më duhet Siria”. E ta pohojmë me agjërim e lutje se na duhet e se jemi përkrah saj.

E vërteta mbi masakrën e Idlib

Në komunikatën e rastit, kujtohet edhe masakra e këtyre ditëve në Idlib,   që i kushtoi jetën 70 vetëve, ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë. Flitet për përdorimin e armëve kimike, për gaz nervin. E dimë se në raste konfliktesh, para se të vriten njerëzit, vritet e vërteta, prandaj kërkojmë me zë të lartë të sqarohen mirë ngjarjet dramatike. Njëkohësisht - nënvizohet - kërkojmë një angazhim të vendosur për t’i dhënë fund kësaj çmendurie, duke shmangur rrezikun real që të mësohemi me luftën e pjesshme botërore, për të cilën flet aq shumë Papa e t’i nënshtrohemi situatës. Prandaj ju ftojmë të lutemi për viktimat, por edhe të impenjohemi kundër luftës dhe armëve, duke përfshirë edhe më të rrezikshmet, ato bërthamore.








All the contents on this site are copyrighted ©.