Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku: të ndalemi pak për të zbuluar dashurinë e Zotit në historinë tonë

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës

06/04/2017 13:58

Zoti është gjithnjë besnik dhe e respekton besëlidhjen e vet me njerëzimin. Ka qenë besnik që nga Abrahami e deri tek shëlbimi, të cilin na e ka premtuar përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku na nxiti të gjithëve të ndalemi pak, edhe për dhjetë minuta, e të mendojmë sa herë ka ndërhyrë Zoti në jetën tonë, sidomos gjatë sprovave.

Abrahami, njeri i fesë, kupton se Zoti nuk gënjen

Në qendër të liturgjisë së sotme, figura e Abrahamit, rreth së cilës u shtjellua homelia e Atit të Shenjtë. Në Leximin e parë flitet për besëlidhjen ndërmjet Zotit e Abrahamit, të cilin Jezusi e farisejtë e quajnë “baba - atë” në Ungjill, sepse prej tij rrodhi ai popull, që sot e quajmë Kishë. Abrahami i besonte Zotit dhe iu bind, kur Hyji i tha të shkojë në një tokë tjetër; i beson me shpresë kur i thotë se, megjithëse në moshë të shtyrë, do t’i lindte një fëmijë nga gruaja, që konsiderohej beronjë. Ndokush mund ta konsiderojë Abrahamin “ëndërrimtar”, por, nënvizoi Papa, nuk ishte i marrë, ëndërronte me shpresë:

“I vënë në provë, pasi i lindi djali, tashmë i rritur, adoleshent, i kërkohet ta ofrojë si fli: u bind e eci përpara kundër çdo shprese. Ky është ati ynë, Abrahami, që ecën përpara e përpara e kur Jezusi thotë se Abrahami e pa ditën e tij, pra, e pa që Zoti e mbante premtimin e besëlidhjes, atëherë ngazëlleu plot gëzim. Po: e pa që në premtim, plotësimin e tij, e provoi gëzimin se Zoti nuk e kishte gënjyer, se Zoti – siç u lutëm me psalmin – i qëndron gjithnjë besnik besëlidhjes së vet”.

Abrahami bindet e beson kundër çdo shprese

Vetë Psalmi i liturgjisë së sotme na fton të kujtojmë mrekullitë e Hyjit. Abrahami e respektoi paktin, sepse iu bind Zotit, gjithmonë. Ndërsa Hyji, nga ana e Tij, e mbajti premtimin për ta bërë “atin e shumë kombeve”. Në Librin e Zanafillës, Zoti i thotë se pasardhësit e tij do të jenë të shumtë si yjet në qiell e si rëra në bregdet. Sot, nënvizoi Papa Françesku, secili prej nesh, secili prej të krishterëve mund të thotë: “Unë jam njëri prej atyre yjeve. Unë jam ajo grimcë rëre”.

Ta kundrojmë historinë: jemi një popull i vetëm

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi u thotë farisejve se Abrahami pa “ditën time”, duke folur për veten. “E pa dhe u mbush me gëzim”. E farisejve, që e shihnin Jezusin me dyshim, Krishti u shpjegoi se Ai “është” para Abrahamit e, këtë kuptoi patriarku, kur Zoti, pasi e vuri në provë, i tha të mos e vrasë të birin, sepse Ai nuk donte të tilla fli, por donte vetëm të sigurohej për besnikërinë e njeriut. Abrahami kuptoi se premtimi për shëlbimin e njerëzve, përmes Birit të Zotit, Jezu Krishtit, do të mbahej. Për këtë, vijoi Papa, Kisha na fton të ndalemi sot e të shohim ku i kemi rrënjët, kush është ati ynë, nga i cili jemi bërë popull – qiell plot me yje, bregdet plot me rërë:

 “Ta shohim historinë: nuk jam vetëm, jam popull. Ecim së bashku. Kisha është popull. Por popull, i ëndërruar prej Zotit; popull, i cili pati një atë mbi Tokë, që u bind e, pati një vëlla, që dha jetën për të na krijuar si popull. E kështu, mund të kundrojmë Atin Qiellor e ta falenderojmë; mund të kundrojmë Jezusin e ta falenderojmë; të shohim Abrahamin e edhe vetveten, sepse jemi pjesë e udhës”.

Të ndalemi për të zbuluar, edhe mes gjërave të këqia, bukurinë e dashurisë së Zotit

Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të ndalen një çast e të kundrojnë historinë e njerëzimit, në kuadrin e ndërhyrjes së Zotit e të Jezu Krishtit, sepse në të, gjejmë edhe historinë e vogël të secilit:

“Ju ftoj sot, të ndaleni pesë, dhjetë minuta…uluni, pa radio, pa televizor; uluni e mendoni historinë tuaj: bekimet, shqetësimet, gjithçka. Hiret e mëkatet: gjithçka. E vëreni aty besnikërinë e atij Zoti, që e mban besën e vet, i qëndron besnik premtimit që i pati bërë Abrahamit, i qëndron besnik shëlbimit, që pati premtuar përmes Birit të vet, Jezusit. Jam i sigurtë se në mesin e gjërave të këqia – sepse të gjithë kemi shumë gjëra të këqia në jetë – do të gjejmë bukurinë e dashurisë së Zotit, bukurinë e mëshirës së Tij, bukurinë e shpresës. E jam i sigurtë se të gjithë ne do të mbushemi plot gëzim”.

06/04/2017 13:58